Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova ka humbur dy vite të plota me ndërhyrjet jokushtetuese të presidentit dhe qeverisë në procesin e dialogut.
Ai ka thënë se dialogu duhet të udhëhiqet nga qeveria dhe të mbikëqyret nga Kuvendi.
“LDK mbetet e vendosur për këtë çështje. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese na ka dhënë plotësisht të drejtë se dialogu udhëhiqet nga Qeveria me mbikëqyrje të Kuvendit. Presidenti ka vetëm rol konsultativ”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Kosova ka humbur dy vite të plota me ndërhyrjet jokushtetuese të presidentit dhe qeverisë përmes ekipit dialogues në procesin e dialogut.
Krejt kjo ka ndodhur për shkak se kryeministri ka abstenuar nga kompetencat kushtetuese duke tentuar të barte kompetencat fillimisht tek presidenti përmes draft-platformës që kryeministri e sjelli në Kuvend në prill 2018, e pastaj tek ekipi dialogues përmes platformës dhe ligjit jokushtetues për dialog.
Gjykata Kushtetuese e ka thënë qartë. Dialogu udhëhiqet vetëm nga institucionet që kanë kompetenca kushtetuese për të përfaqësuar Kosovën në çështje të tilla.
Kushdo tjetër që ndërhynë në këtë proces bën shkelje kushtetuese, siç ka bërë koalicioni PAN përmes ekipit dialogues dhe siç po bën çdo ditë presidenti.
LDK mbetet e vendosur për këtë çështje. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese na ka dhënë plotësisht të drejtë se dialogu udhëhiqet nga Qeveria me mbikëqyrje të Kuvendit. Presidenti ka vetëm rol konsultativ.
Ne besojmë se dialogu duhet të udhëhiqet vetëm nga Qeveria që është legjitime, bazuar në platformë që bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe që miratohet nga 2/3 e votave të deputetëve.