Përfaqësuesi i emëruar i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, vjen nga Spanja – një nga vendet më të fuqishme të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Borrell, 72 vjeç, aktualisht ministër i Jashtëm i Spanjës, pritet të rikthehet në krye të politikës së jashtme të BE-së, pasi ka shërbyer si president i Parlamentit Evropian nga viti 2004 deri më 2007.
Ai e ka reputacionin e mbështetësit të Bashkimit Evropian. Në mars të këtij viti, Borrell ka qëndruar në Beograd, ku ka thënë se Spanja ka qenë kundër “shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës” dhe se ajo “nuk do ta ndryshojë politikën ndaj Serbisë, kur bëhet fjalë për Kosovën”.
“I kemi përsëritur presidentit (të Serbisë, Aleksandar Vuçiq) dhe ministrit (të Jashtëm, Ivica Daçiq) qëndrimin e Spanjës për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, konsiderojmë se vetëm përmes dialogut mund të arrihet te zgjidhja e përhershme e kompromisit për këtë çështje”, ka thënë Borrell.
Në fund të gushtit të vitit 2018, Borrell është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë në vija etnike.
Siç transmeton agjencia spanjolle e lajmeve EFE, Borrell u ka thënë gazetarëve se “Evropa nuk është ndërtuar për të krijuar njësi monolite dhe homogjene mbi çështjet e kulturës dhe etnisë, por për t’iu ndihmuar njerëzve të ndryshëm të jetojnë së bashku”.
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Josep Borrell, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq. Beograd, mars, 2019.
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Josep Borrell, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq. Beograd, mars, 2019.
Borrell, nëse konfirmohet, do të pasojë shefen aktuale të politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Rrjedhimisht, ai do të udhëheqë edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Bisedimet, që kanë nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, aktualisht janë ndërprerë për shkak të një takse që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.
“Lajm i mirë për Serbinë”
Rreth Borrellit si ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi komentoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Emërimi i spanjollit Josep Borrell si përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri është një lajm i mirë për ne, por situata mbetet e vështirë. Nuk zgjidhet me atë që keni një ose dy njerëz në anën tuaj”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.
James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën e Ekonomisë në Londër, tha se emërimi i Borrellit mund të ngrejë çështje në Ballkan, pasi ai vjen nga një vend që nuk e njeh Kosovën. Sipas tij, Borrell mund të jetë pikërisht personi për gjetjen historike të një zgjidhjeje midis Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim në Twitter, Lindsay tha se Borrell e di se zgjidhja e situatës kërkon kompromis që do të njihet nga vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Borrell ka besueshmëri në Serbi. Pocizioni i Spanjës kundër pavarësisë së Kosovës do të thotë se do të jetë më simpatik ndaj Beogradit sesa shumë figura të tjera evropiane. Nëse kjo shfrytëzohet mirë, ai do të jetë në përparësi”, tha Lindsay, duke shtuar se edhe Kosova e di se nuk mund të lejojë që të armiqësohet me të.
Kosova është po ashtu në proces të liberalizimit të vizave me BE-në dhe për shtyrjen përpara të këtij procesi duhet miratimi i të gjitha vendeve anëtare.
Spanja, së bashku me Sllovakinë, Greqinë, Qipron dhe Rumaninë janë pesë vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.
Ka qenë Borrell ai që, në nëntor të vitit të kaluar, ka deklaruar se Spanja nuk do të ndryshojë pozicionin e saj për Kosovën, ndonëse një gjë e tillë i kërkohet edhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Zyrtari i lartë i këtij Komiteti, Pere Miro, ka thënë se Spanja do ta ketë të vështirë të organizojë ngjarje sportive nëse nuk ndryshon pozicion.
Deklaratat e tij kanë pasur problemet që ka hasur delegacioni i Kosovës në Kampionatin Botëror të Karatesë në Madrid.
Atletët kosovarë janë lejuar të konkurrojnë me inicialet e federatës së tyre, KKF, në anën e pasme të uniformave, por tabelat e rezultateve i kanë treguar ata si “Federatë Botërore e Karatesë (WKF) 5”, ndërsa himni dhe flamuri i tyre nuk janë lejuar.
Spanja ka paraqitur pengesa për Kosovën edhe në ngjarje të tjera sportive, gjë që e ka detyruar Federatën Evropiane të Futbollit UEFA në muajin maj, t’i shtrëngojë rregullat e saj, në mënyrë që vendet që nuk e njohin Kosovën, të mos refuzojnë të jenë nikoqire të ekipit të saj kombëtar të futbollit./REL/