970×90
970×90
970×90
970×90

Kadri Veseli nuk e do rrëzimin e qeverisë Haradinaj

Kadri Veseli nuk e do rrëzimin e qeverisë Haradinaj

Gjykata Kushtetuese i dha dje fund Ekipit Dialogues të udhëhequr nga Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj.

Vendimi i saj nxiti deklaratat e thirrjet për zgjedhje të opozitës.

Madje, nga Lidhja Demokratike e Kosovës fajësuan edhe kryeministrin Haradinaj për ikje të përgjegjësisë, si rrjedhojë e së cilës sipas tyre Qeveria duhet të japë dorëheqje.

Mirëpo njëjtë nuk po mendojnë edhe nga koalicioni qeverisës. Madje ata po i konsiderojnë si joserioze deklaratat e opozitës për zgjedhje.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra për lajmi.net thotë se qëndrimi i partisë së saj është i qartë, se mandati i institucioneve të Kosovës duhet të respektohet deri në fund.

Sipas saj është krejt e natyrshme që opozita të kërkojë zgjedhje.

“Është krejt e natyrshme që opozita të kërkojë zgjedhje. PDK ka qëndrim të qartë për këtë çështje, pra nuk duhet te ketë zgjedhje dhe mandati i institucioneve duhet të respektohet deri ne fund”, thotë Deliu-Kodra.

Sipas saj, as situata e fundit e krijuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk është e favorshme për këtë subjekt që të shkojë në zgjedhje të parakohshme në këtë fazë.

“Situata e fundit brenda LDK-së nuk besoj që është e favorshme për zgjedhje të reja ne këtë fazë. Ata vetë janë në proces të brendshëm zgjedhor”, thotë tutje ajo.

Të të njejtës vijë të mendimit janë edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti i këtij subjekti, Shkumbin Demaliaj, për lajmi.net thotë se kjo nuk është herë e parë që opozita po kërkon zgjedhje.

Ai cilëson se është e drejtë e opozitës të kërkojnë zgjedhje, teksa flet edhe për vendimin e Kushtetueses.

“Nuk është hera e parë, është e 16-ta  herë që opozita kërkon zgjedhje, është e drejtë e tyre dhe opozita ka të drejtë të kërkojë zgjedhje”, thotë ai.

“Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një ligj që është votuar nga 80 deputetë, dhe përderisa e ka pasur mazhorancën për me u formu ai ekip negociator ka qenë për me u shprënda përgjegjësitë edhe tek opozita. Qeveria Haradinaj i ka lënë hapësirë për me qenë pjesë e Ekipit Dialogues edhe opozitës. Mirëpo në këtë rast kur vendos Kushtetuesja ne duhet t’i bindemi vendimeve të saj”, thotë ai.

Mirëpo a është e gatshme AAK-ja për zgjedhje dhe a ka çarje brenda koalicionit qeverisës?

Demaliaj thekson se partia e tij nuk ka qenë kurrë kundër zgjedhjeve, mirëpo ai vlerëson se në koalicion nuk ka situatë të tillë që mund të çojë deri tek zgjedhjet.

“AAK s’ka qenë kurrë kundër zgjedhjeve, jemi për zgjedhje por jemi edhe për me vazhdu që Koalicioni është i qëndrueshëm, nuk ka naj element që ka naj plasje në koalicion dhe besoj që ne do të vazhdojmë”, thotë ai.

Madje ka edhe një porosi për opozitën.

“Tani janë pushimet e verës, besoj që edhe opozita ka nevojë me pushu se edhe ashtu nuk ka punu aq shumë”, thekson Demaliaj për lajmi.net.

Më i ashpër me opozitën tregohet deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti.

Ky i fundit thotë se opozita nuk është as vetë e përgatitur për zgjedhje, teksa thekson problemet e brendshme të Vetëvendosjes e LDK-së.

“Kërkesat e opozitës për zgjedhje nuk janë serioze, mendoj që opozita nuk është e përgatitur për zgjedhje as vetë. Opozita gjindet brenda një gjurulldie të brendshme si subjekte politike, si VV-ja edhe LDK-ja kanë probleme të brendshme që unë do t’i kisha quajtur gjurulldi e brendshme e tyre”, thotë ai për lajmi.net.

Sipas tij, e vetmja thirrje dhe ngushëllim që i ka mbetur opozitës është thirrja për zgjedhje.

“Është e qartë se e vetmja deklaratë e cila ju ka mbetur është thirrja për zgjedhje, e cila nuk është serioze. Mendoj që vendi ka nevoje të koordinohet, bashkohet dhe të shikojë me kujdes të gjithë atë që ka ndodhur dhe çka pritet të ndodhë në dialogun me Serbinë”, thekson Hoti për lajmi.net.

Kujtojmë, se vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese, e cilësoi si antiligjor Ekipin Dialogues.

Me vendimin në fjalë, kompetencat për udhëheqjen e dialogut me Serbinë i kalojnë presidentit Thaçi. 

Related posts