
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj nëpërmjet një letre zyrtare ua ka tërhequr vërejtjen ministrave, të emëruarve politik dhe shërbyesve civil se nuk po e zbatojnë orarin e punës.
Në letrën që e ka siguruar Gazeta Monitor, kryeministri Haradinaj ua ka tërhequr vërejtjen ministrave për mungesën e stafit në orar të punës. Ai ka thënë se kjo gjendje duhet të korrigjohet dhe të merren të gjitha masat e parapara me ligj, shkruan Gazeta Monitor.
“Ju ftoj që në bashkëpunim me Sekretarët përkatës të zbatoni një mbikëqyrje të drejtpërdrejtë dhe më efektive të të gjithë zyrtarëve në raport me orarin e punës dhe të ndërmerrni masa ndaj atyre që nuk paraqiten në punë sipas përgjegjësive dhe orarit. “, ka kërkuar Haradinaj.
Kjo është letra e plotë e kryeministrit:

Të nderuar ministra,
Kohëve të fundit është vërejtur një çrregullim I theksuar i performancës së të emëruarve politik dhe shërbyesve civil. Ky çrregullim kryesisht manifestohet me mosrespektim të orarit të punës dhe procedurave për mungesat e stafit në orarin e rregullt.
Pres nga ju që kjo gjendje të korrigjohet me të gjitha masat e parapara me Ligj dhe rregullore.
Ju ftoj që në bashkëpunim me Sekretarët përkatës të zbatoni një mbikëqyrje të drejtpërdrejtë dhe më efektive të të gjithë zyrtarëve në raport me orarin e punës dhe të ndërmerrni masa ndaj atyre që nuk paraqiten në punë sipas përgjegjësive dhe orarit.