Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, nuk ka hezituar as sot që të lansojë një deklaratë sa interesante edhe të çuditshme për një njeri që udhëheqë me ekzekutivin.
Duke treguar për një ngjarje me disa fëmijë, kryeqeveritari ka cituar një këngë që ia kishin kënduar ata, shkruan Reporteri.net.
“Xhamadani vija-vija, kërrk taksa e kërrk ushtria”, ishin fjalët e fëmijëve që, sipas Haradinajt, iu kënduan teksa vraponte në gjysmë-maratonën e Prishtinës.
”Isha një ditë në vrapim këtu në Obiliq dhe do fëmijë të vegjël vrapojshin me mu me më jepshin kurajo dhe ja nisën këngës tha Xhamadani vija-vija kërrk taksa e kërrk ushtria, të vogjël”, ka thënë Haradinaj gjatë intervistës në KTV.
Ndërkaq, kjo nuk është hera e parë që kryeministri i vendit zgjedh fjalë jokonvencionale për një kryeministër. Ka pasur disa raste kur ai ka përdorur fjalor joformal, e madje ia ka thënë këngës.
Ndryshe, Haradinaj merr pjesë në secilën prej maratonave, mirëpo kjo është hera e parë që ka zgjedhur të tregojë çfarë i thonë ata që takon rrugës.