
Kosova meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë ndërkombëtare si vend i lirë e i pavarur, ka deklaruar të martën në Prishtinë, ish-presidenti amerikan Bill Clinton. Këto komente, Clinton i bëri pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i ndau ish-presidentit amerikan “Urdhrin e Lirisë”, për merita të veçanta.
“Isha i lumtur që pasardhësi im, presidenti George W.Bush njohu Kosovën, besoj vetëm një ditë pasi ju shpallët pavarësinë”, tha Clinton.
Clinton tha se ndihej krenar që ishte president i SHBA-së në kohën ishte marrë vendimi për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.
“Unë gjithmonë do të jam krenar me faktin se unë isha president i SHBA-së në kohën kur ju patët nevojë që dikush të ngritet dhe ta thotë se nuk ka më spastrim etnik, nuk ka më përndjekje të njerëzve nga shtëpitë e tyre, jo më vrasje të civilëve të pafajshëm”, tha Clinton.
Ai tha se jo vetëm SHBA, por gjithë bota duhet të jetë krenare me të arriturat në Kosovë, demokracinë e saj dhe shtet-ndërtimin. Ai inkurajoi lidershipin e Kosovës që tani të ndërtojnë paqen brenda e jashtë kufijve të Kosovës, për dëshmuar se është shtet demokratik.
Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën tranzitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.
Një ditë më herët, ishte nënshkruar edhe Marrëveshja Teknike e Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.
Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, më 12 qershor 1999 filloi vendoja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.
Sot, 20 vjet pas kësaj ndërhyrje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it (NATO-s) janë në numër më të vogël dhe numërojnë nga 6 deri në 7 mijë ushtarë, të cilët janë të dislokuar në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.