
Ekipi kombëtar i Kosovës ka mbërritur në Podgoricë të mërkurën në mbrëmje, para ndeshjes së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 kundër Malit të Zi pas dy ditësh.
Bernard Challandes e mbajti një stërvitje në stadiumin Fadil Vokrri sot në mëngjes, para nisjes drejt shtetit fqinj, ku tashmë është akomoduar para ndeshjes të premten pasdite, raporton Gazeta Express.
Federata e Futbollit e Kosovës njofton se udhëtimi me autobus ka shkuar shumë mirë dhe pa telashe.
Ndërkohë, gjatë ditës së nesërme përzgjedhësi Challandes në orët e mesditës do të ketë takimin e zakonshëm me futbollistët, derisa stërvitjen finale para ndeshjes me Malin e Zi, do ta zhvillojë në stadiumin e qytetit në Podgoricë, në orën 18:00.
Ndeshja mes Malit të Zi dhe Kosovës do të zhvillohet të premten në orën 20:45 në Podgoricë. Tri ditë më vonë, verdhekaltrit do të udhëtojnë drejt Sofjes për t’u përballur me Bullgarinë.
“Dardanët” renditen në vendin e tretë në Grupin A me një pikë, pesë më pak se lideri Anglia, e cila megjithatë i ka zhvilluar dy ndeshje deri tani.
Bullgaria është e dyta me dy pikë, ndërsa Mali i Zi është i katërti me një pikë pas dy ndeshjeve. Grupin e mbyll Republika e Çekisë me 0 pikë pas një ndeshjeje.