Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka thënë se nuk e ka takuar kurrë dhe nuk e njeh Kadri Rexhepin, të arrestuarin në aferën “Fajde”.
Në Rubikon të KTV-së, Haliti i ka quajtur mashtrues profesionistë grupin e arrestuar në këtë aferë.
“Shihet qartë se ata janë disa spekulantë, mashtrues, profesionistë me praktika e përvojë jo vetëm në raportin që është transmetuar, por po besoj që edhe më shumë. Asnjëherë s’e kam takuar Kadri Rexhepin. Kam dëgjuar pas videove”, ka thënë Haliti.
Ai ka treguar se rastin e përmendjes së emrit të tij e kishte raportuar në prokurori më 2014.
“Më ka informuar së pari Elmi Reçica që është një grup mashtruesish që ta kanë përmend emrin e po flasin në emrin tënd në raport biznesi. Dikur në vitin 2014. E kam dërguar shoferin tim në polici, erdhën hetuesit në zyrë e më pyetën. Në prokurori kam dhënë deklaratë e si qytetar këtë mendoj se duhet ta bëjë secili, jo vetëm për këto raste, por për secilin rast ku vërehen shkelje ligjore. Reçica më tha që ta kanë përmend emrin e është mirë me i paraqitë në polici madje më pyeti mos ke diçka me ta, apo je takuar me ta. I thash jo. Pastaj më ka sjellë një deklaratë me shkrim të tyre. S’kam mundur të lëviz unë procesin. Atë është dashur ta bënte ligjzbatuesi”, ka shtuar ai.
Haliti ka treguar se kishte marrë tri mesazhe me numër të Amerikës apo Kanadasë. Ka thënë se ishte në kohë fushate dhe kishte marrë mesazh se “Rrahim Hashimi është ai që po kërkon para në emër tënd”.
“Mora edhe mesazhe kërcënimi, por kur provoja t’i thirrja nuk mundja. Rruga ime ka qenë ta paraqes në polici dhe policia të hetojë rastin”, ka thënë ai.
Haliti ka shtuar se mesazhe kërcënuese ka marrë shpesh, sidomos pas paraqitjeve politike. Këtu ka përmendur edhe mesazhet që ka thënë se i ka marrë pas përplasjes me kryeministrin Ramush Haradinaj në Kuvendin e Kosovës.
“Mesazhe të ndryshme kam marrë shumë herë, kërcënuese nga palë të ndryshme, më shumë për deklaratat politike pse po e shan këtë apo kritikon atë. Ka pas një rast kur më kanë thënë se kam për të ta djeg tokën. Ka shumë raste. Edhe në rastin kur zhvillova debat me zotin Haradinaj, më kanë ardhur dy-tri mesazhe kërcënuese, thuajse e kam sulmuar Haradinajn. Ne jemi miq, e debati është tjetër. Secili i ka detyrat e veta. Nuk i kam treguar Haradinajt sepse e di që ai nuk bën e as nuk besoj se mund t’i thotë dikujt kërcënoju. Janë çështje momenti”, ka deklaruar Haliti.