970×90
970×90

E dhimbshme, Haxhi Krasniqi humbë për 2 pikë, kundër gjermanit

E dhimbshme, Haxhi Krasniqi humbë për 2 pikë, kundër gjermanit


Haxhi Krasniqi ka dështuar ta mbrojë titullin evropian të kategorisë së peshave të mesme të EBU-së në meçin kundër boksierit gjerman Stefan Haertel.

Kampioni i ri evropian i EBU-së në kategorinë e peshave të mesme është gjermani Stefan Haertel, i cili e mposhti junikasin Haxhi Krasniqi me vendim.

Krasniqi shpresonte se do ta fitonte këtë meç dhe do ta mbronte me sukses titullin e kampionit evropian. Këtë gjë ai e dëshironte pasi që synonte të sfidonte për titullin botëror.

Megjithatë, kjo ëndërr e Krasniqit mori fund, të paktën për momentin, pasi që kundërshtari i tij, gjermani Stefan Heartel, arriti ta fitojë meçin e zhvilluar në Magdeburgu, ku Haxhi Krasniqi kishte jetuar për gjashtë vjet.

Boksieri gjerman e nisi më mirë këtë meç, duke arritur ta dëmtojë Haxhi Krasniqin në këmbën e djathtë qysh në rundin e dytë të meçit. Megjithatë, me kalimin e kohës, junikasi arriti ta tregojë aftësinë e vet, duke u treguar më agresiv.

Në rundin e pestë të meçit, një goditje e Haxhi Krasniqit e la me hundë të gjakosur kundërshtarin e tij. Megjithatë, junikasi 32-vjeçar e pati më të vështirë pasi që syrin e pati të gjakosur për pjesën më të madhe të këtij meçi.

Në rundin e fundit, Haertel ishte afër të pësonte disfatë me nokaut pasi që Krasniqi e goditi disa herë në kokë. Megjithatë, gjermani arriti të mbajë veten në këmbë dhe pastaj ia ktheu edhe Krasniqit dy grushte.

Pasi që Krasniqi tentonte ta godasë kundërshtarin e tij vazhdimisht me grushtin e djathtë, ai u bë më i parashikueshëm nga kundërshtari. Për më tepër, për shkak që nuk mbrohej, goditjet e Haertelit ishin të pastra dhe të gjitha ato llogariteshin si pikë nga gjyqtarët.

Kjo ndeshje ishte shtyrë nga nëntori i vitit të kaluar pasi që Haertel nuk ishte në gjendje të boksonte për shkaqe shëndetësore. Këtë titull, Krasniqi e fitoi më 2 qershor të vitit 2018 dhe pastaj e mbrojti në një meç tjetër, gjithashtu vitin e kaluar. 

Related posts