Një grup prej gazetareve dhe kameramanëve të medieve nga Kosova (RTV21, RTK, KTV, KLANK, DUKAGJINI, KOSOVO2.0) kanë mbetur në Aeroportin e Venedikut.
Siç tregojnë gazetarët e bllokuar, në biletat e dërguara përmes e-mail-it nga Ministria e Kulturës gazetareve shkruan se udhëtimi për Venedik bëhet me datë 8 Maj përmes Stambollit , ndërsa kthimi me datë 11 Maj gjithashtu përmes Stambollit.
Ndërsa me të arritur me kohë në Check-In në Aeroportin e Venedikut tek sportelet e ‘Turkisch Airlines’ gazetarëve u bëhet e ditur se në sistem figuron kthimi data 13 e jo data 11.
“Kemi kontaktuar agjensionin ‘Malesia Reisen’ ata po ashtu tregojnë se data 13 figuron si datë kthimi në sistem ndërsa në biletat e dërguara nga Ministria e Kulturës që po ashtu ka logon e ‘Malesia Reisen’ figuron data 11 si datë kthimi por që sipas agjensionit kjo bilete është bërë vetëm sa për aplikim vize shengen për gazetarët që duhej aplikuar dhe se Ministria ka ngatërruar biletat që iu ka dërguar në e-mail. Por në e-mail rezervimi i hotelit është bërë me datë 8 Maj deri 11 dhe jo 13. Ish-Ministri Memli Krasniqi takuam rastësisht në hapësirat e Aeroportit dhe shfaqëm problemin por Memli Krasniqi ishte përngut ngase ju duhet te shkonte tek fluturimi i tij dhe tha “Merne me pozitivitet” duke buzeqeshur ndërsa Ministri i Kulturës Kujtim Gashi së bashku me këshilltarin e tij Samir Hoxha nuk u ndalen hiç edhe pse disa gazetarë kishin shkruar ankesat e tyre tek këta persona përmes telefonit.”, thuhet në njoftimin e gazetarëve.
Aktualisht grupi prej 12 personave kanë mbetur në Aeroportin e Venedikut.
Lidhur me rastin portali rtv21.tv, ka provuar të kontaktojë me ministrin e Kulturës, Kujtim Gashin dhe këshlilltarin e tij, Samir Hoxha, por ende nuk ka marrë përgjigje nga ta.
Gazetarët nga Kosova në Venedik kanë qëndruar për për të ndjekur Bienalen e Venedikut, ku Kosova u përfaqësua nga artisti i mirënjohur, Alban Muja, i cili ka paraqitur projektin e tij “Family Album”, që përshkruan vuajtjet e shqiptarëve gjatë luftës./21Media