Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, sot ka marrë pjesë në takimin përmbyllës të projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë”.
Me këtë rast, ministri Tahiri ka theksuar se fuqizimi dhe ngritja e pavarësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit është në qendër të punës së tij, dhe se me reformat e nisura, do të ndryshohet rrënjësisht sistemi gjyqësor dhe prokurorial.
“Rishikimi i sektorit të sundimit të ligjit, me theks të veçantë në ngritjen e efikasitetit të gjyqësorit dhe parandalimin e korrupsionit, përfshirë agjendën e masave konkrete të Drejtësisë 2020, do t’i japin një formë tjetër sistemit gjyqësor, duke nisur kështu nga reformimi i mekanizmave për përgjegjësitë disiplinore, vlerësimin e performancës por edhe rekrutimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Tahiri.
Ministri Tahiri ka thënë se rekomandimet e dhëna nga projekti i binjakëzimit, do të jenë të nevojshme për profesionalizmin e mëtejmë të sistemit gjyqësor.
“Të gjitha këto rekomandime do të merren parasysh tutje gjatë zhvillimit të reformave të nisura në këtë fushë. Jam i bindur që ndihma të cilën e kemi marrë na ka afruar sado pak ndaj vlerave mbi të cilat ngritët Bashkimi Evropian”, ka thënë ministri Tahiri.