Legjenda e futbollit shqiptar, Altin Lala, i ka dhënë këshilla Milot Rashicës për zhvillimin e karrierës së tij.
Ish-futbollisti i Hannoverit beson se futbollisti nga Kosova mund të bëhet lojtar i madh.
Werder Bremeni do të luajë me Bayern Munichun të mërkurën në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë (DFB Cup), ndërsa krejt shpresat e ekipit gjelbër e bardhë janë tek Rashica.
Djaloshi i artë i Kosovës në pjesën e dytë të sezonit në Bundesliga ka realizuar 7 gola, ndërsa kishte realizuar edhe në ndeshje të kupës.
22-vjeçari është këtu ku është edhe falë Altin Lalës, i cili e ka ndihmuar shumë.
Tash ish-futbollisti i Hannoverit mendon se Rashica po ecën me hapa gjigantë përpara.
“Fakti se një klub si Werder Bremen me një trajner si Florian Kohfeldt ka vendosur për Milotin, i cili ka shumë durim dhe besim, është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e këtij djaloshi”, ka thënë për mediet gjermane, menaxheri Altin Lala.
Ndërsa, trajneri i Werderit është i kënaqur me kontributin e lojtarit, i cili tash po e ndihmon ekipin në të gjitha aspektet.
“Fillimisht, Miloti nuk e dinte se duhej të vepronte dhe të kontribuonte më shumë në mbrojtje”, ka thënë trajneri gjerman.
Ndërkohë, Lala ka shtuar se Miloti ka nevojë të përmirësohet në disa detaje të vogla, por se po shkon me hapa të sigurt drejt të qenit një lojtar i madh.
“Unë shpesh i kam thënë Milotit se ai mund ta bëjë një gjë të vogël, të thjeshtë pak më mirë. Janë gjëra që nuk kanë të bëjnë asgjë me talentin, por me punën”, ka përfunduar ish-përfaqësuesi i Kombëtares shqiptare.