
Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Deçan pasi dyshohet se ai kishte shtënë me armë zjarri nga një veturë e tipit Pasat me regjistrim të Zvicrës në mesditën e së dielës.
I dyshuari është arrestuar në rrugën “Dëshmorët e Kombit” teksa policia kishte marrë informatën për të shtëna armësh në fshatin Lëbushë.
I dyshuari i arrestuar është shtetasi B.T. lindur vitin 1970 m/k/sh, të cilit i është konfiskuar edhe arma e tipit ‘H-K P2000.SK’ që dyshohet ka shtënë më të. Po ashtu së bashku më armë janë konfiskuar edhe 2(dy) karikator dhe njëzetenëntë (29) copë municion cal.9×19, ka njoftuar policia e Kosovës.
“Të gjitha veprimet policore janë koordinuar me prokurorin e shtetit, është bërë edhe shikimi i vendit të ngjarjes ku janë gjetur edhe provat dhe dëshmitë tjera të veprës”, thuhet në njoftim.
Policia ka apeluar të gjithë qytetarët se të shtënat me armë zjarri ndalohen me ligj dhe mund të shkaktojnë vdekje apo plagosje të panevojshme të njerëzve.
“Policia obligohet të ndërhyjë edhe nëpër ahengje apo festa të ndryshme kurdo që arma e zjarrit përdoret dhe veprimet policore në ketë drejtim do të jenë të menjëhershme”, thuhet në apelin e policisë.