970×90
970×90

Vjen kundërpërgjigja e MASHT-it për kompensimin e orëve

Vjen kundërpërgjigja e MASHT-it për kompensimin e orëve


Ditën e djeshme, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mbajti një takim me përfaqësuesit e SBASHK-ut, kryetarët e DKA-ve, disa përfaqësues të prindërve e KMDLNJ-së.

Ministria kishte vendosur që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës së fundit tri javëshe të mësimdhënësve t’ia lë në duar Drejtorive Komunale të Arsimit.

E me këtë vendim u shprehën të pakënaqur përfaqësuesit e SBASHK-ut, të cilët në shenjë revolte lanë në gjysmë mbledhjen.

SBASHK qëndron prapa Ligjit për greva i cili nuk i obligon që t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës së mbajtur, shkruan Gazeta Observer.

Në anën tjetër, një numër i madh mësimdhënësish janë kundër kompensimit të orëve edhe pse ende nuk dihet nëse me të vërtetë do të mbahen orët të shtuneve.

Zëvendësministri nga MASHT, Arbër Geci, për Gazetën Observer thotë se këtë çështje ia kanë lënë komplet në duar Drejtorive Komunale të Arsimit dhe se është detyrë e tyre t’i kontrollojnë se a po kompensohen orët, apo jo.

‘’E vetmja kërkesë e MASHT është që DKA-të të zbatojnë Udhëzimin Administrativ për normativin mësimor, nxënësit të mos dëmtohen, orët e humbura të kompensohen dhe procesi mësimor t’i kthehet normalitetit. Është detyrë e DKA-ve që të kujdesen për mbarëvajtjen e procesit mësimor’’, përfundon Geci.

Kujtojmë se MASHT kishte nxjerrë një vendim ku thuhej se ditët e humbura të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar do të zëvendësoheshin fillimisht me pesë ditë të marra nga pushimi pranveror në prill të këtij viti, pesë ditë të shtuna do të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019, dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i këtij vitit shkollor. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Related posts