970×90
970×90
970×90
970×90

Presidenti: Marrja e përgjegjësive të plota në drejtësi është rezultat i pjekurisë institucionale

Presidenti: Marrja e përgjegjësive të plota në drejtësi është rezultat i pjekurisë institucionale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën “Rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit”, e cila është organizuar nga Ministria e Drejtësisë.
Presidenti Thaçi ka thënë se realiteti politik dhe juridik i Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, me një shoqëri shumetnike dhe tolerante, është realizim i ëndrrave dhe pritjeve të kamotshme të qytetarëve të saj.
“Tani synojmë anëtarësimin e shtetit tonë në Bashkimin Evropian, që do të përmbyllë këtë aspiratë”, u shpreh ai.
Presidenti ka theksuar se ndër hallkat më të rëndësishme në forcimin e perspektives evropiane është sistemi i drejtësisë që është funksional, transparent, llogaridhënës dhe në të cilin kanë besim të gjithë qytetarët e vendit.
Ai ka thënë se sundimi i ligjit është obligim kushtetues dhe parakusht themelor për të siguruar që secili qytetar i Republikës së Kosovës është i barabartë para ligjit.
“Kjo është vlerë dhe parim bazë i rendit tonë kushtetues”, ka thënë presidenti Thaçi.
Duke folur për rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, presidenti Thaçi ka kërkuar që ky proces të jetë në funksion të garantimit të zbatimit të këtyre parimeve dhe vlerave kushtetuese, në funksion të të gjithë qytetarëve pa dallim.
“Përmes këtij procesi, institucionet e Republikës së Kosovës dëshmojnë aftësinë dhe vullnetin për t’i ofruar qytetarëve një sistem funksional, transparent e mbi të gjitha efikas të sundimit të ligjit. Andaj, unë sot ofroj mbështetjen time të plotë për Rishikimin e Sektorit të Sundimit të Ligjit”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka kërkuar nga të gjitha institucionet që të ketë një angazhim të përbashkët me qëllim që rezultatet të jenë sa më të prekshme, të qëndrueshme dhe afatgjate.
“E përgëzoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, e në veçanti Ministrin e Drejtësisë për shtytjen e fuqishme që i ka dhënë këtij procesi. Duhet të njohim guximin dhe vullnetin që kanë treguar institucionet e Republikës së Kosovës për të filluar një nga reformat më të thella të këtij sektori”, ka thënë ai.
Kreu i shtetit ka pohuar se Republika e Kosovës ka arritur rezultate të konsiderueshme në fushën e ndërtimit të institucioneve të pavarura të drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Sipas tij, kjo është arritur edhe falë përkushtimit tonë dhe ndihmës së çmuar të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Ai ka shtuar se me transferimin e përgjegjësive të plota edhe në sektorin e drejtësisë nga institucionet ndërkombëtare tek ato vendore, rritet edhe përgjegjësia e shtetit të Kosovës për të siguruar një sistem efikas, të pavarur dhe të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.
“Institucionet e Kosovës po marrin përgjegjësitë e plota në sektorët më të ndjeshëm shtetëror. Ky është rezultat i pjekurisë institucionale dhe kapaciteteve profesionale të cilat me sakrificë u krijuan për të ndërtuar vendin tonë”, ka thënë ai, duke kërkuar nga të gjithë që të jenë në krye të detyrave në këtë angazhim të rëndësishëm.
Presidenti Thaçi ka theksuar se puna e secilit duhet të shihet dhe të jetë e prekshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ka qenë edhe kryetari Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, zëvëndësambasadorja e SHBA-së, Colleen Hyland, si dhe pjesëmarrës të tjerë.

Related posts