Një shënim i shkruar nga Albert Ajnshtajni për një shkencëtare të re, e cila kishte refuzuar ta takonte atë, u shit në një ankand në Jeruzalem, bashkë me një sërë letrash të tjera të fizikanit të njohur.
“Për studiuesen shkencore, në këmbët e së cilës fjeta dhe u ula për dy ditë të tëra, si një suvenir miqësor”, thuhet në shënimin e shkruar në gjermanisht në vitin 1921, i cili u shit per 6.100 dollarë në Jeruzalem.
Shtëpia e ankandeve tha se Ajnshtajni, atëherë 42-vjeçar dhe ende pa fituar çmimin Nobel, ia kishte shkruar letrën Elisabetta Piccinit, një studente e kimisë sa gjysma e moshës së tij, e cila jetonte një katë poshtë motrës së tij, Maja, në Firence. Gjatë një vizite në qytet, fizikani ishte shumë i interesuar ta takonte atë, e megjithatë Elisabetta ishte shumë e mbyllur dhe e turpshme për të takuar një person të tillë të famshëm.