Osman Karpuzi ish ushtar i UÇK-së, përmes një telefonate nga Burgu i Dyzit ka konfirmuar për emisionin “Udhëve” në RTK se është ftuar nga Gjykata Speciale.
Edhe një ish ushtar i UÇK-së është ftuar nga Gjykata Speciale.
Sipas informacioneve jo zyrtare, bëhet fjalë për Osman Karpuzin, i cili, është i dënuar për një vepër penale të kryer në Shqipëri dhe se është ekstraduar nga atje në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.
“Jam në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz. Kam marrë ftesë nga Gjykata Speciale. Në shkresë thuhet se më 13 mars më duhet të shkoj atje”, ka thënë përmes telefonatës, personi që është prezantuar si Osman Karpuzi, duke shtuar se gjendet në Burgun e Dyzit.
Osman Karpuzi është nga Shala e Lipjanit. Ai përmes telefonit ka thënë se më 13 dhe 14 mars do të jetë në Hagë, si i ftuar nga Gjykata Speciale.
Sa i përket rrugëtimit drejt Holandës, ka shtuar se atë do ta organizojnë organet e drejtësisë.