970×90
970×90

Daut Dauti: Pakuptimësia e tri festave

Daut Dauti: Pakuptimësia e tri festave


Festat janë interesante dhe shpesh të pakuptimta. Dy festa më të rëndësishme te ne janë 8 Marsi dhe 1 Maji. Nuk duhet të mendohet shumë për të parë se kremtimi i këtyre dy festave ka mbetur si trashëgimi nga sistemi socialist-komunist. Ky sistem, 1 Majin e kishte shpallur si ditë feste dhe për të bërë me dije se problemi i punëtorëve ishte ‘zgjidhur’ pasi që klasa punëtore kishte ardhur në pushtet!

Ky sistem e kishte ‘zgjidhur’ edhe problemin e pozitës së vështirë që kishte gruaja në shoqëri dhe e caktoi 8 Marsin si festë për këtë fitore. Pra, gratë më nuk kishin probleme se ishin të barazuara me burra dhe gëzonin të njejtin status me ta në shoqëri!

Natyrisht, të gjithe e dijmë që këto dy probleme nuk kanë qenë të zgjidhura as atëherë e as sot në shoqëritë që dolën nga sistemi komunist. Madje, gjatë komunizmit, punëtorët dhe gratë kanë qenë më të shtypur se në kapitalizëm.

Në anën tjetër, në vendet me ekonomi të zhvilluara dhe sisteme sociale të avansuar, që ne i quajmë Perëndimore, pothuajse nuk dijnë që ekzistojnë këto dy festa. Pra, nuk festohet në vendet ku pozita e punëtorit dhe e gruas është në mënyrë të pakrahasueshme më e mirë se në vendet ish socialsite, sidomos në Kosovë dhe Shqipëri. Përkundrazi, në këto vende njerëzit (burra e gra) gjejnë arsye të protestojnë gjatë këtyre dy ditëve.

Atëherë, pse te ne bëhet festë gjatë këtyre dy tëve? Për festime nuk duhet kërkuar arsye. Festat mbesin trashëgim pa ndonjë arsye ose për arsye të kundërt. Shumë gjëra në këtë botë kanë nisur për një qëllim e kanë përfunduar për një tjetër.

Një festë e paarsyeshme, ka mbetur edhe në Angli. Fjala është për ‘Bonfire Night’ (Nata e Fyshekzjarreve), festa kryesore në Angli. Me 5 nëntor 1605 një njeri i quajtur Guy Fawkes kishte planifikuar që me bure të barotit ta shkatërronte ndërtesën e parlamentit, mundësisht ta vriste edhe mbretin dhe t’a ndërronte pushtetin. Me një fjalë dëshironte ta përmbyste tërë sistemin në mënyrë shumë të dhunshme. Guy Fawkes nuk ia arriti qëllimit por dita kur ai e kishte planifikuar sulmin apo eksplodimin e barotit sot është festë kombëtare.

Kjo festa e Anglisë (5 nëntor) sikur edhe këto dy tonat (8 mars dhe 1 maj) nuk kanë kurrëfarë kuptimi dhe shënojnë tentativa dhe veprime të dështuarapor. Por, tek e fundit, më mirë është të festohet se të mbahet zi.

Related posts