
Kreu i Kuvendit sot është takuar me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, me shefen e Zyrës së BE-së Nataliy Apostolova si dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i koalicionit qeveritar, Kadri Veseli, ka folur për takimet e ndara që sot i ka zhvilluar në kabinetin e tij me Ambasadorin Amerikan Philip Kosnett, me shefen e Zyrës së BE-së Nataliy Apostolova si dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj, raporton lajmi.net. “Kosova ka orientim perëndimor. Askush nuk ka të drejtë dhe askush nuk do të na ndajë nga SHBA-të dhe nga orientimi jonë perëndimor”, ka deklaruar Veseli. Ai po ashtu ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se sipas tij, populli i Kosovës çdo dilemë me Serbinë e ka mbyllur më 12 prill të vitit 1999.“Kosova drejt ndërmarrësisë, drejt njerëzve inovatorë. Rinia duhet të qëndrojë në Kosovë. Në Kosovë duhet të zhvillohet jeta, të zhvillohet perspektiva. Ta fuqizojmë shtetin për arsye se nuk ka nevojë t’i hapim vetvetes dilema dhe as nuk do lejojmë t’i hapim vetes dilema. Dilemat i kemi mbyllur me 12 qershor 1999, populli i Kosovës me sakrificë dhe me një çmim shumë të madh e kemi larguar Serbinë nga Kosova. Por Serbia është fqinji ynë me të cilin duam të kemi paqe, por Kosova do jetë përjetë shtet i pavarur dhe sovran dhe ky do jetë orientimi yn”, ka deklaruar Veseli në Gjilan, pas vizitës që i bëri një fabrike prodhuese të mobileve.