Komandanti i bazës ushtarake amerikane “Bondsteel” në Kosovë, koloneli Roy Macaraeg, lidhur me spekulimet e mediumeve se forcat ushtarake të SHBA-së do të mund të tërhiqeshin për shkak të refuzimit të Qeverisë së Kosovës për ta pezulluar taksën që ia ka vënë Serbisë, ka deklaruar për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, se “vendimet e tilla merren në nivelin politik”.
“Ambasada Amerikane në Prishtinë, e ka theksuar shumë qartë pozicionin tonë kombëtar. Ne, si KFOR, mbetemi të angazhuar në misionin tonë të përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Macaraeg.
Ai ka komentuar edhe deklaratat se Kampi “Bondsteel” mund të mbyllet në mënyrë që në vend të tij të ndërtohet një bazë e re në veri të Kosovës.
“Ekziston tashmë një bazë e KFOR-it në veri të Kosovës, Kampi “Notting Hill”, dhe nuk ka asnjë plan për të ndërtuar një bazë të re”, tha Macaraeg.
Ambasada Amerikane, përmes një njoftimi për media të premten ka konfirmuar se përkrah qëndrimin e KFOR-it dhe trupave amerikanë në Kampin e “Bondsteel-it”.
“Politika e Shteteve të Bashkuara ende është që të përkrah KFOR-in dhe praninë e trupave të SHBA-ve në Kampin Bondsteel që ruan një ambient të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Sikurse edhe gjetiu nëpër botë kjo dhe vendosjet tjera të trupave të SHBA-ve i nënshtrohen shqyrtimit të rregullt”, thuhej në deklaratën e ambasadës amerikane.