Në shtatë qytete të Kosovës u dërgua deklarata e pavarësisë në përvjetorin e 11-të të shtetësisë, por arkës së shtetit kjo i ka kushtuar 27 mijë euro.
Mbi 18 mijë euro u dhanë vetëm për shtypjen e saj, 5 e 250 të tjera për dukjen e kamionëve me ikonat ceremoniale, e shoferët e tyre morën nga 100 euro, ndërsa qiraja për 7 kamionët në total arriti në 2,800 euro.
Në dokumentet e shpenzimeve që i ka siguruar KTV-ja, 1 mijë stilolapsa me ikonën e pavarësisë, buxhetit të shtetit i kushtuan 3 mijë euro, nga 3 euro secili.
Ndërsa 4 euro e 90 centë u pagua emblema metalike që liderët shtetërorë e kishin vendosur në xhaketat e tyre, e në total për to u dhanë 4 mijë e 900 euro.
Kompania “Dizarium”, 5 mijë euro ia mori shtetit vetëm për shpenzimet që i ka konsideruar si të paparashikuara, të cilësuara si kërkesa të minutave të fundit nga ta.
Po kaq para u dhanë edhe për konceptin kreativ, sloganin dhe zhvillimin e materialit.
Tre fotografë profesionalë që kanë përcjellë aktivitetet e pavarësisë, morën nga 1 mijë euro secili.
Qeveria, në kuadër të shpenzimeve, krijoi një domen për 5 vjet që i kushtoi 500 euro, derisa aplikacioni në rrjetet sociale kushtoi 1 mijë euro, e 500 euro të tjera u dhanë për sponsorizim.
Ceremonia në hotel Venus, shtetit i ka kushtuar rreth 31 mijë euro. Këtu hyjnë zbukurimi brenda dhe jashtë hotelit, zërimi, ndriçimi, përkthimi etj.
137 mijë euro ka kushtuar ceremonia kryesore, ku ka parakaluar për herë të parë ushtria.
Vetëm bina ku u vendosën liderët shtetërorë, i ka kushtuar shtetit 15 mijë euro. 1,780 euro të tjera u paguan për flamurin e madh që u ngrit mëngjesin e Ditës së Pavarësisë.
5 parashuta u dizajnuan veçanërisht për ditën e pavarësisë, çmimi i të cilave ishte mbi 1 mijë euro për copë, apo në total 5, 770 euro, por për paragllajdistët u paguan edhe 6,750 euro.
Në katër sheshet kryesore, nga Grandi deri te Kuvendi, zbukurimi i 75 shtyllave thuhet se kushtoi rreth 14 mijë euro.
Brendimi i grilave dhe barrikadave që ka ndarë qytetarët me ceremoninë shtetërore, ka kushtuar 13 mijë e 300 euro.
12 mijë e 150 euro, “Dizarium” thotë se u kushtuan për zbukurimin e 15 kiosqeve të drurit “Verë n’dimër”.
Ndërkohë, koncerti në shesh kushtoi rreth 33 mijë euro, 18 prej të cilave shkuan për artistët.
Hiç më pak se 25 mijë euro kanë kushtuar 11 minutat me fishekzjarrë në mbrëmjen e 17 shkurtit.
Këto e shumë shpenzime të tjera që arritën vlerën prej 300 e 10 mijë eurosh i mori kjo kompani që u kontraktua nga protokolli i shtetit, për festimin e 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Protokolli kishte kërkuar 500 mijë euro, me pretendimin që paratë e mbetura do të ktheheshin prapa.
Gati dyfishin e këtyre parave i kishte shpenzuar Qeveria Haradinaj edhe për kremten e 10-vjetorit të shtetësisë.
600 mijë euro i kishte ndarë në fillim Qeveria, por muaj më vonë, në nëntorin e 2018-s, ajo ndau edhe 255 mijë e 613 euro të tjera në emër të shlyerjes së borxheve të mbetura nga kremta e dekadës së parë të shtetësisë.
Për dallim nga dy vitet e fundit, 9-vjetori i pavarësisë i kishte kushtuar Qeverisë vetëm 70 mijë euro.
Prandaj, për të marrë sqarime për vendimin e 12 shkurtit që ndau gjysmë milioni euro, kryeministri Ramush Haradinaj do të duhej të ishte para komisionit që mbikëqyr financat publike, por shefi i qeverisë nuk erdhi aty.
Përveç opozitës, kritika për shumën e ndarë kanë dhënë edhe deputetë të PDK-së.
Komisioni ka shqyrtuar edhe raportin e auditimit dhe pasqyrat vjetore financiare të
Zyrës së Kryeministrit për vitin 2017.
Aty u tha se janë evidentuar një varg shkeljesh në raportin e auditimit.