
Pritje pa përgjigje në NARIC. Departamenti më i përfolur për neglizhencë e mos punë në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është ai Qendrës kombëtare për njohje të diplomave – NARIC. Me vite të tëra të diplomuarit jashtë vendit, kanë pritur dhe vazhdojnë të presin për njohje të diplomës dhe gradave të fituara shkencore. Kjo duket do t’i ketë konvenuar më së shumti zyrtarëve të NARIC, e sidomos udhëheqëses Kumrije Gagica.
Kjo zyrtare nga pozita aktuale publike, ka arritur që të punësohet si asistente në Universitetin e Prishtinës (UP), madje si asistente e angazhuar edhe pse UP-ja ka shumë nevojë për asistentë të rregullt. Për këtë rast kanë raportuar mediet më parë.

(Kjo është zyrtarja Kumrije Gagica, ndaj të cilës ka shumë ankesa se neglizhoi nostrifikimin e diplomave)
E njëjta zyrtare, pra Kumrije Gagica ka arritur po ashtu që t’a rehatoj motrën e vet në dy vende pune, në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, si dhe në një kolegj privat, ndonëse përgatitja shkencore e saj është vetëm në gradën master.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus i ka dërguar dy herë pyetje znj.Gagica, por ajo nuk është përgjigjur. Po ashtu edhe gjatë ditës së sotme kemi bërë përpjekje që ta marrim në telefon, por as aty s’kemi marrë përgjigje.

(Kjo është Shejnaze Gagica, motra e zyrtares Kumrije Gagica. Shejnazja vetëm me master dhe është punësuar në dy vende pune)
Kujtojmë se e njëjta zyrtare po ashtu kishte zvarritur edhe vërtetimin e shumë diplomave të të diplomuarve në institucione publike e private në Kosovë, si dhe atyre të diplomuar jashtë shtetit.
FaktePlus merr vesh se ka disa raste kur diplomat janë nostrifikuar me procedurë të përshpejtuar, e në disa raste të tjera aplikantët kanë pritur me vite te tëra varësisht nga preferencat e udhëheqëses Kumrije Gagica.
Duke neglizhuar pambarim detyrat dhe përgjegjësitë e saj, MAShT më në fund kishte vendosur ta zëvendësojë, duke ia ndërruar vendin e punës. Me të kuptuar që zëvendësimi i saj është i pa evitueshëm, pak para se të merrej ky vendim ajo i dërgon një letër shantazhuese (të cilën redaksia jonë e posedon) udhëheqësve në MAShT, duke paragjykuar edhe punën e komisionit të krijuar për të zgjidhur problemet e grumbulluara nga viti 2012 në zyrën që ajo drejtonte, duke mbajtur peng mbi 10 mijë studentë.
Kështu për vite me radhë mijëra studentëve në mënyrë të padrejtë ju është pamundësuar verifikimi i diplomave në MAShT, për shkak se Kolegjet kanë vonuar me dorëzimin e Librave Amzë, apo nuk u janë pranuar ato libra. Si rrjedhojë asnjë masë nuk është ndërmarrë ndaj Kolegjeve në atë kohë dhe janë lejuar të vazhdojnë funksionimin normalisht.
Ndërkohë është vërtetuar se në mes tyre ka Kolegje që kanë dorëzuar Librat Amzë me kohë, por ato janë fshehur apo zhdukur nga zyrtarë të MAShT-it.
FaktePlus për këtë temë ka tentuar disa herë të marr një përgjigje, por asnjëherë drejtuesit e Qendrës kombëtare për njohje të diplomave – NARIC, nuk kanë treguar gatishmëri për të dhënë përgjigje.
Ndërkohë duhet theksuar se grupi punues i cili kishte për detyrë të analizoj gjendjen e Librave Amzë të cilat nuk janë pranuar nga Departamenti i Arsimit të Lartë, ka ardhur në përfundim që studentët nuk kanë asnjë përgjegjësi për këtë proces dhe bazuar në Udhëzimin Administrativ, studentët nuk mund të penalizohen me mosverifikim të diplomave për shkak të shkeljeve që kanë bërë Kolegjet apo zyrtarët e MAShT.
Prandaj ky grup punues ka rekomanduar që studentët të cilët dëshmojnë se janë regjistruar brenda afateve ligjore, në programe të akredituara dhe licencuara duhet t’u mundësohet verifikimi i diplomave.