Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar LDK-në dhe Vetëvendosjen që ta mbështesin Platformën për Dialog që atij sot iu dorëzua nga bashkëkryesuesit e Delegacionit Shtetëror, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.
Veseli ka thënë se këto dy parti opozitare duhet të jenë pjesë e Ekipit Shtetëror që së bashku ta përmbyllin këtë fazë të rëndësishme për vendin.
Kryeparlamentari ka ripërsëritur se Kosova shkon në dialog me Serbinë për njohje reciproke dhe përshpejtim të anëtarësimit në OKB, NATO dhe BE.
Më poshtë statusi i plotë i Kadri Veselit në Facebook:
Sot m’u dorëzua platforma shtetërore për fazën finale të Dialogut Kosovë-Serbi. Së shpejti do ta procedojmë për miratim në Kuvendin e Kosovës. Ky është një dokument gjithëpërfshirës, që adreson qëndrimet unike të Kosovës për këtë proces.
Ne shkojmë në Dialog për njohje reciproke dhe përshpejtim të anëtarësimit në OKB, NATO dhe BE. Platforma garanton transparencë të plotë. Për marrëveshjen finale, përveç Kuvendit të Kosovës, fjalën e vet do ta thotë edhe populli me referendum.
Ftoj Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje që ta mbështesin këtë platformë dhe t’i bashkohen Ekipit Shtetëror, në mënyrë që bashkë ta mbyllim edhe këtë fazë të rëndësishme për shtetin e Kosovës.