Në lidhje me rastin e abuzimit seksual të së miturës në Drenas, Policia e Kosovës ka arrestuar policin hetuesin i cili është i dyshuar për pjesëmarrje në rast.
Zëvendësshefit të hetimeve të Stacionit Policor të Drenasit, Vesel Veseli, i dyshuar në lidhje me rastin, sot iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi dyshohet për keqpërdorim seksual të një 16 vjeçare.
Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit Vesel Veseli për veprat penale: Keqpërdorimi seksual duket keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin dhe Ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë.
Por, cili është dënimi që e pret të dyshuarin për kryerjen e këtyre veprave penale?
Avokati Besnik Berisha ka sqaruar hollësisht dispozitat ligjore në lidhje me këtë rast.
“Në rast se do të vërtetohet nga Gjykata se i dyshuari V.V. ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet nga Prokuroria dhe për të cilat tashmë është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, dënimi që mund të përballet ai për veprën penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin është ‘nga 1 deri në 5 vite burgim’, ndërkaq për veprën penale ‘Ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë, ai mund të dënohet ‘nga 1 deri në 8 vite burgim’”, është shprehur Berisha për lajmi.net.
Gjithashtu Berisha ka shtuar se matja dhe lartësia e dënimit sikurse në çdo rast tjetër, edhe në këtë rast është në diskrecion të Gjykatës, e cila vendimin e saj e bazon në ligj.
“Sidoqoftë, matja dhe lartësia e dënimit sikurse në çdo rast tjetër, edhe në rastin konkret është në diskrecion të Gjykatës, e cila vendimin e saj e bazon në ligj, gjithnjë duke marrë parasysh edhe rrethanat personale të kryerësit dhe peshën e veprës penale të kryer”, sqaroi më tutje Berisha.
Rasti i rëndë i abuzimit seksual që ka ndodhur në Drenas, ka ngjallur reagime në gjithë Kosovën.
Një vajzë 16 vjeçare, dyshohet se ishte abuzuar seksualisht, nga mësuesi i saj dhe pasi ka shkuar në polici për ta raportuar rastin ishte abuzuar seksualisht edhe nga polici hetues.
E gjithë ngjarja kjo kishte përfunduar në shtatzëni të 16 vjeçares, e cila ishte detyruar të bënte abort.