Agim Bahtiri beson që misioni i tij për bashkimin e Mitrovicës do të realizohet këtë vit.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, që mori mbështetje nga rreth 17 mijë qytetarë në idenë e tij për bashkim, thotë se Mitrovica do të bashkohet sivjet, raporton KTV.
“Nuk dua të jap afate, por besoj që Mitrovica bashkohet këtë vit”, ka thënë Bahtiri.
Bahtiri, i cili mori mbështetje edhe nga presidenti, thotë se me kryeministrin Ramush Haradinaj nuk ka folur direkt, por mbështetje ka marrë nga vëllai i tij, deputeti Daut Haradinaj, si dhe nga të gjithë kolegët e tij kryetarë komunash që vijnë nga AAK-ja.
U ka tërhequr vërejtjen vendorëve e ndërkombëtarëve që t’i mbajnë larg duart nga Mitrovica.
Bahtiri ka bërë thirrje që Kuvendi të ecë tutje me peticionin, e për bashkimin e Mitrovicës është i bindur se nuk ka nevojë fare për votat e Listës Serbe.
“Mezi po pres me ju pa fytyrat atyre në Kuvend që do të votonin kundër”, ka thënë më tej Bahtiri.
Por, qytetarët e Mitrovicës nuk janë aq optimistë sa Bahtiri.
Derisa mbështetje iniciativës së Bahtirit i ka dhënë presidenti Hashim Thaci, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, këtë e ka quajtur vetëm lojë politike.
Ai tha se do t’i japin mbështetje peticionit të qytetarëve që tash është në Kuvend, megjithëse thotë se ka vështirësi në realizim.
Rreth kësaj çështjeje nuk ka dashur të komentojnë Presidenca dhe Qeveria e Kosovës.
Bashkimi i Komunës së Mitrovicës së Jugut me atë të Veriut nuk mund të ndodhë pa miratimin e Listës Serbe.
Me kushtetutë përcaktohet se ndryshimi i kufijve komunalë është legjislacion me interes vital, që kërkon edhe shumicën e votës së deputetëve të komuniteteve pakicë.