
Dhanë jetën në krye të detyrës.
Paslufta në Kosovë njohu heronjtë tjerë të saj, shkruan lajmi.net.
Një numër jo i vogël i policëve u vranë, e dy prej tyre ranë heroikisht në mbrojtje të rendit, ligjit dhe sovranitetit territorial.
Izet Demaj, ish-pjesëtar i UÇK-së në betejën e Koshares, e që paslufte shërbeu në Policinë e Kosovës, u vra sot gjatë një shkëmbimi të zjarrit me grabitësit në Istog.
I njëjti u qëllua me një breshëri plumbash në trupin e tij.
Për rastin reaguan krerët kryesorë institucional. Për Demajn, nuk u kursye epiteti i heroit të Kosovës.
“Kosova, fatkeqësisht, sot e humbi një polic të guximshëm në krye të detyrës”, shkroi presidenti Thaçi në Facebook.
Kosova me një hero tjetër të saj u njoftua edhe më 26 korrik të vitit 2011.
Polici, Enver Zymberi, më vonë i shpallur hero i Kosovës u qëllua nga një snajper serbë në veri të vendit.
Zymberi u qëllua për vdekje në aksionin e Njësisë Speciale të Kosovës në pjesën veriore të vendit, i cili qëllim kishte heqjen e barrikadave të vendosura nga qytetarë serbë.
Pas së shtënës së parë, që rezultoi të jetë fatale për Zymberin, kishin pasuar edhe shkrepje tjera të armës së zjarrit në drejtim të Policisë së Kosovës, mirëpo fatmirësisht pa pasoja tjera.
Enver Zymberi, tashmë është shpallur hero i Kosovës.
Në detyrë kur vdiqën ishin edhe dy policët tjerë, Armend Trena e Malsor Dashi.
Ata pas një aksidenti në magjistralen Kaçanik-Han i Elezit, ranë në lumin Lepenc, ndërkaq që pas disa ditësh kërkimesh u gjetën të vdekur.
Policia e Kosovës në raste të shumta është treguar e aftë të dalë në krye të detyrës.
Për këtë, ky institucion vlerësohet si njëri ndër më kredibilet nga qytetarët e vendit.