
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po kremton sot 29 vjetorin e themelimit të saj.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa uroi të gjithë qytetarët e Kosovës për përvjetorin e themelimit të partisë së tij politike.
“Në motin e ndryshimeve të mëdha historike që kishin përfshirë mbarë Europën, më 23 dhjetor 1989, u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me shkrimtarin, intelektualin e urtë, Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova”, tha ai.
Mustafa foli edhe për gjendjen e tij shëndetësore.
“Më vjen keq që sot po ju drejtohem ulur në këtë kremtë të madhe sepse ju e meritoni respektin më të madh. Po mbushet gati një vit që po ballafaqohem me rehabilitim shëndetësor. Gjat[ kësaj kohë kam pasur përkrahjen e të gjithë juve, dhe po arrij të rikuperohem ngadalë”, tha ai.
I pari i LDK-së u dekarua edhe për gjendjen politike aktuale në Kosovë.
“Sot pas 29 vjetësh nga themelimi, LDK qëndron e para në Kosovë. Jemi të vendosur të luftojmë kundër të gjithë atyre që e keqpërdorin pasurinë e Kosovës dhe vlerat demokratike të këtij vendi. Kemi dije për të ofruar zhvillim ekonomik që i nevojitet vendit. Kemi guxim për ta luftuar korrupsionin sepse jemi të pakorruptuar dhe për ta shkapur shtetin nga grupet parashtetërore kriminale”, u shpreh ai.
Mustafa e kritikoi ashpër Qeverinë Haradinaj, duke shtuar se LDK-ja duhet ta udhëheqë vendin.
“Kosova si rrallë herë më parë, ka nevojë për institucione të forta. Katër komunat e veriut sillen si komuna të Serbisë ndërsa kanë ndërprerë komunikimin me institucionet në Prishtinë, kurse Qeveria bëhet sikur janë pajtuar me këtë gjendje. 1/3-a e ministrave në këtë qeveri janë me aktakuza, dhe kjo qeveri po e falimenton Telekomin.
Mustafa shtoi se « asnjë taksë, sado e meritueshme ndaj Serbisë, nuk mund t’i mbulojë dështimet e kësaj Qeverie”.
Kryetari i LDK-së foli edhe për dialogun, duke shtuar se nuk do të bëhen pjesë e ekipit negociator.
“Atëherë na kritikonin për koalicion me PDK-në, e tani na kritikojnë pse nuk po i ngjitemi PDK-së për të siguruar legjitimetin për diaog. Dialogu duhet të zhvillohet shtet me shtet dhe jo Prishtine-Beograd. LDK vlerëson se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet pa e cenuar pavarësinë e Kosovës, ndërkaq kufijtë, integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit nuk duhet të jenë pjesë e dialogut me Serbinë”, tha Mustafa.