970×90
970×90

Bizneset ankohen për ndarjen e shtëpizave në sheshin “Zahir Pajaziti”

Bizneset ankohen për ndarjen e shtëpizave në sheshin “Zahir Pajaziti”

Ky fund vit nuk e gjeti Prishtinën me drita. Atmosferë festive nuk po ndihet rrugëve të kryeqytetit as kur kanë mbetur edhe më pak se dy javë deri në vit të ri. Njëjtë si zvarritja e vendosjes së dekorimeve probleme pati edhe me vendosje të shtëpizave, më saktësisht edhe në përzgjedhje të bizneseve që do të përfitonin nga shitja e produkteve në shesh. Ata që nuk u përzgjodhën i thanë Expressit se gjithçka ka ndodhur nga përfitimet në baza partiake, e në komunën e Shpend Ahmetit po thonë diçka tjetër

Janë gjithsej 19 biznese që figurojnë në listën zyrtare që ka bërë publike Komuna e Prishtinës, përfitues të vendeve në tregun e fund vitit. Por, lista e atyre që aplikuan këtë vit si asnjëherë më parë qe në numër të madh, për 19 vende, aplikuan më shumë se 100 biznese.

Kërkesat e mëdha për shtëpizat në shesh bënë që pas publikimit të emrave për fituesit në drejtim të komunës së udhëhequr nga Shpend Ahmeti të ketë shumë ankesa.

Një pronar i një biznesi vendor që preferoi të mbetet anonim, duke folur për Gazetën Express është shprehur i mllefosur duke thënë se arsyeja pse nuk është zgjedhur në listë është bërë për shkak që nuk është përkrahës i Partisë Social Demokrate të Ahmetit.

“Na është bërë e pa drejtë, nuk janë marrë parasysh kriteret, i kanë nda në bazë të interesit. Ne jemi përjashtu veç pse nuk jemi përkrahës të PSD’së, ajo dihet. I kanë rahatu njerëzit e vet, për atë arsye është shty vendosja e shtëpizave”, është deklaruar ai.

Ai po pretendon se në ndarje të vendeve është i përfshirë edhe një nga asamblistët e PSD’së në komunë, Adrian Berisha, e një djalë i një drejtori të komunës.

“Tash dëgjova se aty ka marrë edhe Adrian Berisha shtëpizë. Ai që është edhe asamblist i PSD’së është përfshirë edhe në ndarje të vendeve. Ky i ka kontinierat te teatri si aksionar, plus ka marrë shtëpizë poshtë. Edhe djali i një drejtorit të komunës ka marrë shtëpizë aty”, ka shtuar një nga personat që nuk arriti të fitojë vend në listën e komunës.

Në komunën e Ahmetit po thonë se arsyeja pse këtë vit është vonuar vendosja e shtëpizave ka qenë se kishin menduar që kjo të bëhet paralelisht me vendosje të dekorimeve, që do të përfundojë edhe pak ditë.

Adonis Tahiri zëdhënës për media, i ka thënë Expressit se këto pretendime janë të pavërteta.

“Takimi me bizneset e përzgjedhura ka qene të hënën, dhe ata mund të vendosen nëpër shtëpiza menjëherë. Meqë emrat e bizneseve të përzgjedhura janë publike, është lehte te verifikohet që kjo është e pavërtetë” ka deklaruar ai.

Tahiri ka thënë se kanë marrë mbi 100 aplikime dhe pjesa më e madhe kanë plotësuar kriteret e dhëna nga komuna.

“Kanë qenë mbi 100 aplikime, dhe pjesa dërmuese i kanë plotësuar kriteret. Por, janë vetëm 19 shtëpiza, dhe është e pamundur të akomodohen të gjithë. Kësisoj, jemi bazuar më shume në një nga kriteret e përzgjedhjes, që është inovacioni. Ne raste të tilla, gjithmonë ka hapësirë për pakënaqësi, për shkak se secili aplikant mendon për vete që është më i miri”, deklarohet ai.

Sa i përket asaj se disa biznese vjet kishin fituar të drejtën për të pas shtëpiza në shesh, Tahiri po thotë se kjo u bë që secilit nga aplikuesit t’i jepet rasti.

“Ka biznese që vitin e kaluar janë përzgjedhur, e sivjet jo. Jo pse nuk i kanë plotësuar kriteret, por për shkak se edhe shume biznese tjera qe nuk e kane pasur rastin më parë, kanë qenë në nivelin e njëjtë ose edhe më të mira në aplikim. Është shumë më mirë që në situata të tilla, të përzgjidhen ata të cilët nuk janë përzgjedhur më parë, në mënyrë qe secilit t’i jepet rasti”, përfundon Tahiri.

Ndërkohë, në kryeqytet ende nuk po ndihet mirë atmosfera festive. Kur kanë mbetur edhe pak ditë afër 2019’tës, punimet për dekorim të sheshit nuk kanë përfunduar.

Related posts