
Punëtorët e zinxhirit të marketeve “Viva Fresh Store” janë duke u trajtuar në formën më të keqe të mundshme. Me orar të tejzgjatur dhe presion të madh në punë, punëtorët që paguhen minimalisht në marketet si ky i sipërpërmenduri, janë lodhur dhe përmes mediave po mundohen që të alarmojnë për situatën e rëndë të punës.
Periskopi sot ka publikuar një artikull ku thuhet se punëtorët e kësaj kompanie po punojnë me orare të stërgjatura deri në 15 orë dhe pa asnjë orë pauzë. Në gjitha pikat e ‘Vivës’ ka hyrë në fuqi edhe vendimi për punë pa asnjë ditë pushim deri pas festave të fundvitit.
Për ta bërë edhe më skandaloz këtë situatë, orët shtesë nuk do u paguhen fare.
Si pasojë e këtij raportimi, në adresën e Periskopit kanë ardhur dhjetëra reagime të tjera të punëtorëve të kompanisë. Por, shumica e tyre hezitojnë flasin publikisht për arsye se mund ta humbasin punën.
Njëri prej ish-punëtorëve të kësaj kompanie ka folur publikisht në hapësirën e komenteve të artikullit.
Fadil Morina i cili thotë se ka punuar për 1 vit në Viva Fresh Store thotë se trajtimi i punëtorëve në kompani është i tmerrshëm.
Ai këtë kompani e konsideron “më të poshtrën” e botës.
“Është e vërtetë se punojnë për festa me orë të stërzgjatura. Unë kam punu në Viva Fresh për 1 vit. Poshtërsia që bohet në këtë firmë… nuk ka n’botë firmë ma të poshtër. Punëtorët nuk guxojnë as me folë se i largojnë prej punës”, shkruan ai,
Periskopi ka raportuar disa herë për keqtrajtimin e punëtorëve nëpër markete, jo vetëm në Viva Fresh, por edhe në markete të tjera të këtij lloji. Ne inkurajojmë të gjithë punëtorët e këtyre marketeve, dhe jo vetëm, që të kontaktojnë me ne nëse atyre u shkelen të drejtat që u garantohen me ligj. Identiteti i tyre do të mbahet i fshehur nëse kërkojnë kështu.