
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pasur rastin e dytë historik për të votuar për një ngjarje madhore, pas votimit për shpalljen e Pavarësisë.
Sot, deputetët kosovarë dhanë votën për të krijuar Ushtrinë e Kosovës, institucion ky prej më të rëndësishmëve për shtetin, shkruan gazetametro.net.
Nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës sa ishin në sallë, votën PRO e dhanë 106 deputetë, 1 ABSTENIM, ndërkaq KUNDËR votuan asnjë deputet. Lista Serbe, doli të jetë kundërshtarja e vetme e ushtrisë së Kosovës.
E votimi për ushtrinë bëhet pas një përkrahjeje të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët përkrahje të tillë dhanë për çlirim dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, gjatë gjithë javës së kaluar ka shprehur se ushtria është e drejtë e Kosovës dhe është vlerësuar si një vendim sovran.
Përkrahja e Amerikës është bërë me e madhe kësaj radhe për shkak se ushtria kritikohej nga NATO e BE’ja, mirëpo përkrahja e kësaj të pares ka bërë që ushtria të bëhet.
Kosova e ka përsëritur në vazhdimësi miqësinë me Amerikën, e po ashtu edhe ambasadori amerikan sapo nisi punën në Mitrovicë potencoi se ‘nuk mund të gjendet një miqësi tjetër mes dy popujsh, që krahasohet me miqësinë e amerikanëve me kosovarët’.
Ndryshe, që prej dy ditësh flamuj amerikanë po qëndrojnë nëpër rrugët e Prishtinës dhe qyteteve tjera të Kosovës.