
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur të premten në takim komandantin e ri të KFOR-it, Lorenzo D’addario, të cilin e ka uruar për detyrën e re dhe i ka ofruar bashkëpunim të plotë institucional në funksion të përmbushjes së detyrave dhe misionit të tij në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.
Në këtë takim, Veseli dhe komandanti i ri i KFOR-it kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet forcave të NATO-s në Kosovë dhe institucioneve kosovare.
Komandanti i ri i KFOR-it, D’Addario, e ka njoftuar Veselin për gjendjen e sigurisë në Kosovë e cila është e qetë dhe stabile, ndërsa ka theksuar se KFOR-i ka bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë.
Veseli dhe D’addario, po ashtu kanë diskutuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe për të arriturat e shtetit të Kosovës në të gjitha fushat.
Ndërsa, kryeparlamentari Veseli e ka njoftuar komandantin e ri të KFOR-it për hapat përfundimtarë që do të ndërmerr Kuvendi i së Kosovës gjatë muajit dhjetor për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Veseli ka thënë se Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë një forcë e përgatitur mirë, multietnike dhe aleate e denjë e NATO-s për të ofruar paqe në gjithë rajonin dhe më gjerë.