970×90
970×90
970×90
970×90

Rasti i parë në Kosovë që një i dyshuar për vrasje nuk arrestohet, e sqaron avokati Berisha

Rasti i parë në Kosovë që një i dyshuar për vrasje nuk arrestohet, e sqaron avokati Berisha

Mbrëmë ka ndodhur një vrasje në lagjen Veternik të Prishtinës, ku i dyshuari pas shkëmbimit të zjarrit la të vdekur njërin nga hajnat që kishin hyrë për të vjedhur në shtëpinë e tij.

Katër persona kishin hyrë në shtëpinë e tij për të vjedhur, njëri nga ta kishte shtënë në drejtim të pronarit të shtëpisë dhe në shkëmbim e sipër të zjarrit, pronari i shtëpisë la të vdekur njërin prej tyre i cili supozohet të ketë qenë i armatosur, transmeton lajmi.net.

Mirëpo, me të dalë në media lajmet, pronari i shtëpisë gëzoi një përkrahje të madhe nga njerëzit që komentonin pa ndalur në artikujt e të gjitha medieve.

E në përkrahje të tij doli edhe avokati Besnik Berisha i cili nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’ u shpreh se i pronari i shtëpisë, nuk duhet të arrestohet dhe duhet të mbrohet nga policia deri në fjalën e drejtësisë.

Kështu edhe ndodhi, edhe organet e drejtësisë që rastin e konsideruan si vetëmbrojtje nuk e arrestuan të dyshuarin R.B pas kryerjes së aktit.

Ky është rasti i parë i tillë në vendin tonë, që dikush që dyshohet për vrasjen e një njeriu, nuk arrestohet nga policia.

E për këtë, Lajmi.net ka kontaktuar avokatin Besnik Berisha i cili edhe natën e mbrëmshme i doli në mbrojtje të dyshuarit për kryerjen e vrasjes.

I pyetur se pse në këtë rast i dyshuari për vrasje nuk duhet të arrestohet, Berisha ka thënë se pronari i shtëpisë ka vepruar në mbrojtje përballë një sulmi real dhe në këtë rast ai ishte viktimë që i shpëtoi të keqes.

“Nga ajo çfarë kemi lexuar dhe dëgjuar deri më tani, pronari i shtëpisë ka vepruar në mbrojtje të nevojshme, përballë një sulmi real, të atëqasshëm dhe të paprovokuar, ndaj ai në asnjë mënyrë nuk mund të quhet vrasës, por një viktimë që fati e ka shpëtuar nga më e keqja atë dhe familjen e tij”, tha Berisha për lajmi.net

I pyetur se si duhet ta trajtojë drejtësia në Kosovë këtë rast, ai ka thënë se përveç mbrojtjes nga ligji, ai meriton edhe mbrojtje nga secili që e do këtë vend të qetë dhe të sigurt.

“Në këndvështrimin tim, ai përveç që gëzon mbrojtje nga ligji, po ashtu meriton edhe mbrojtje nga secili që e do këtë vend të qetë dhe të sigurt”, ka vazhduar Berisha.

Në pyetjen se cila është procedura sipas ligjeve aktuale Berisha ka shtuar se “mbrojtja e nevojshme përjashton kundërligjshmërinë dhe se në këtë rast aktgjykimi lirues do të ishte i vetmi vendim i drejtë dhe i ligjshëm”.

Related posts