
Haradinaj ka theksuar se vendimi për taksën ka ardhur pas pengesave të vazhdueshme që Serbia po ia bën Kosovës, transmeton Gazeta Express.
“Po ashtu, kryeministri Haradinaj i ka siguruar ambasadorët e QUINT-it se situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të ruajë rendin dhe qetësinë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke demantuar dezinformatat për ashtuquajtur krizë humanitare në veri të vendit”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.
Haradinaj i ka siguruar ambasadorët qytetarëve të vendit, pa dallim vendi apo përkatësie etnike nuk do ju mungojë asnjë produkt bazik ushqimor dhe mjekësor dhe se deklaratat e politikanëve serbë janë veçse një veprim tjetër propagandues, i pavërtetë dhe i papranueshëm për realitetin në vend.
Haradinaj tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të sigurojë paqe dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe fton të gjithë qytetarët e saj dhe përfaqësuesit institucionalë, subjektet politike, kryetarët e komunave posaçërisht ata në veri dhe organet e tjera, që të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.
Më tej ai ka falënderuar ambasadorët e QUINT-it për përkrahjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme për Kosovën në të gjitha proceset dhe i ka ftuar ata që të jenë objektiv sa i përket vlerësimit të situatës në vend, duke ritheksuar edhe një herë se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës do të mbetet në fuqi, deri në realizimin e objektivave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.