970×90
970×90

Shkruan Indira Hoxha: Pse të jem fëmijë i adoptuar?

Shkruan Indira Hoxha: Pse të jem fëmijë i adoptuar?

Është njësoj sikur të jetosh me një gjymtim për gjithë jetën. Është një dhembje zemre që s’mund të kurohet.

Kështu e përshkruan jetën e tij një njeri, të cilin e dhanë për adoptim që kur lindi. Ai vazhdon: Gati çdo ditë të jetës së tij , zemra të digjet për të ditur përgjigjet e pyetjeve: Cila është familja ime e vërtetë? Ku jetojnë? Pse më braktisën?

Zana , babai i së cilës ishte fëmijë i adoptuar, ankohet se nuk e di cilët janë gjyshërit e saj natyrorë. Ajo thotë:Më duket sikur më kanë mashtruar, sepse nuk mund të rri me xhaxhallarët, hallat dhe kushërinjtë e mi.Jo të gjithë fëmijët e adoptuar ndihen kështu, por disa po. Përse?

Për një fëmijë, të marrë vesh se e kanë ndarë nga familja e vet natyrore mund të jetë shumë turbulluese emocionalisht. Zana , të cilën e adoptuan kur ishte shumë e vogël, thotë: Problemi im ishte zemërimi, sepse nuk e kuptoja pse më kishte braktisur mamaja ime e vërtetë. Mendoja se ajo më kishte braktisur ngaqë isha e shëmtuar dhe se s’meritoja të më donte njeri. Ah, sikur të më jepte vetëm një mundësi, patjetër që do ta bëja të ndihej krenare për mua! Sa herë që mendoja për mamanë time të vërtetë, më shtohej zemërimi.

Edhe marrëdhënia që kishte Zana me prindërit adoptues u bë e tensionuar. Mendoja se prindërit e mi adoptues më kishin zhvatur nga mamaja ime e vërtetë, thotë ajo. Prandaj ua nxirrja gjithë inatin atyre. Po, zemërimi nganjëherë është reagimi që ka një njeri ngaqë e kanë dhënë për adoptim.

Ky zemërim mund të jetë i rrezikshëm. Nganjëherë, siç e tregon rasti i Zanës, prirja mund të jetë ta nxjerrësh inatin në mënyra të gabuara ose njerëzve të gabuar. Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen. Si mund të bëhet kjo? Fjala e Perëndisë thotë edhe: Gjykimi i thellë e ngadalëson me siguri zemërimin e njeriut. Nëse arrin të fitosh kuptueshmëri ose gjykim të thellë për gjendjen tënde, kjo mund të ta zbusë zemërimin. Në ç’mënyrë?

Gjykimi i thellë mund të të ndihmojë që t’u bësh një shqyrtim atyre ideve që ta shtojnë zemërimin. Për shembull, nëse je i adoptuar, a mendon se prindërit e tu natyrorë të kanë dhënë për adoptim sepse ti kishe ndonjë gjë të padëshirueshme? Kështu ndihej Zana. Por, a është gjithnjë kështu? Ndoshta nuk është e mundur të përcaktosh cilat ishin motivet e prindërve të tu, por ka mjaft arsye për ta shmangur këtë ide pesimiste. Po të mendohesh mirë, zakonisht, pse prindërit i japin për adoptim fëmijët e tyre? Shpesh mendojnë se s’kanë zgjedhje tjetër.

Shqyrto rastin e Moisiut. Tregimi na thotë se kur faraoni i Egjiptit dha urdhër që gjithë foshnjat meshkuj izraelitë të vriteshin, Jokebeda e mbajti të fshehur për tre muaj foshnjën e saj, Moisiun. Pastaj s’ishte më e mundur ta fshihnin, por ajo s’duronte dot që fëmijën e saj ta vritnin. Prandaj, kur nuk mundi ta mbante më të fshehur, mori një kanistër prej xunkthi, e leu me bitum dhe katran, vendosi në të fëmijën dhe e la në kallamishtën në bregun e lumit.

Pa dyshim që ishte shumë e vështirë për nënën ta braktiste fëmijën e saj në këtë mënyrë. Por, a kishte zgjedhje tjetër? Dashuria për të birin e shtyu të bënte atë që mendonte se ishte më e mira për djalin. Është interesant fakti se vajza e saj qëndroi aty afër që ta ruante dhe ndenji derisa pa që vëllai i saj i vogël u nxor nga lumi shëndoshë e mirë. Ka shumë të ngjarë që e bëri këtë sepse ia kishte kërkuar mamaja e saj e shqetësuar.

Sigurisht, jo të gjitha rastet e adoptimit ndodhin të shtyra nga urgjenca të tilla të qarta, por motivet shpesh janë të ngjashme. Ideali thotë: Unë linda jashtë martese. Për familjen e mamasë sime do të kishte qenë një barrë e rëndë të më rriste edhe mua, sepse në familje kishte edhe fëmijë të tjerë. Ajo mund të ketë arsyetuar se do të ishte më mirë për mua që të më jepte për adoptim.

Kuptohet që ka shumë arsye pse disa prindër i japin fëmijët e tyre te familjet e tjera për t’i rritur. Por, siç e ilustrojnë këta shembuj, kjo nuk ndodh medoemos sepse nëna e urren foshnjën e saj ose sheh ndonjë mangësi te fëmija. Në shumë raste, mamaja beson me të vërtetë se fëmija do të jetë më mirë po ta rritë një familje tjetër.

Gjykimi i thellë mund të të ndihmojë më tej kur mendon përse të adoptuan. Shqyrto edhe një herë shembullin e Moisiut. Pas pak kohe e bija e faraonit e mori dhe e rriti si birin e vet. Çfarë e motivoi të bijën e faraonit që ta mbronte këtë fëmijë, kur e dinte se ishte një nga hebrenjtë e dënuar? Ja, i vogli po qante; asaj iu dhimbs. Po, fakti që Moisiu u adoptua nuk erdhi si pasojë e urrejtjes ose sepse e kishin hedhur poshtë, por ngaqë e donin.

Shumë fëmijë të adoptuar me kalimin e kohës e kuptojnë se prindërit e tyre natyrorë nuk është që thjesht i braktisën, edhe pse kjo po ndodh tepër shpesh këto kohë, por i çuan te ndonjë institucion që do t’i siguronte se dikush do të kujdesej mirë për fëmijët. Pastaj, adoptimi i tyre ndodhi sepse dikush i deshi aq sa të merrte përsipër të kujdesej për ta. A mund të thuhet e njëjta gjë për ty? Të përqendrohesh te dashuria që ke marrë dhe ta vlerësosh atë mund të të ndihmojë që të lehtësosh dhembjen që ndien.

Për më tepër, mund të marrësh dashuri edhe nga të tjerë, përveç familjes që të ka adoptuar. Nëse je pjesë e kongregacionit mund të kesh dobinë që të kesh shumë nëna, baballarë, motra dhe vëllezër frymorë që të duan. Pleqtë që jetonin më herët mund të jenë si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur.Mos ngurro t’u kërkosh ndihmë njerëzve të pjekur dhe t’u hapësh zemrën atyre. Bëju të ditur se çfarë të mundon në mendje e në zemër.

Prandaj, hidhi poshtë idetë e gabuara dhe pesimiste. Kjo përfshin edhe konceptin se ndoshta nuk do të kesh sukses në jetë, sepse ke qenë adoptuar. Mendime të tilla negative mund të jenë vërtet shumë shkurajuese.

Fakti që të kanë adoptuar tregon se dikush të deshi aq sa të të merrte dhe të kujdesej për ty.

Shkruan:Indira A.Hoxha

Znj.dipl.ec.Indira A.Hoxha

Related posts