Sylejman Selimi: Votojeni Demarkacionin, lirojeni popullin nga burgu
Në një intervistë të shkurtër telefonike nga burgu i Dubravës, ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, ka thënë se “ndoshta unë jam i fundit që duhet të flisja për këtë temë, a për çfarëdo teme tjetër, sepse ndodhem në burg, mirëpo politikanët e Kosovës të mos e mbajnë në burg të gjithë popullin”. Prandaj, ai bën thirrje të votohet Demarkacioni
Një prej emblemave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, i ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi. Selimi, në një deklaratë nga burgu, i bën thirrje politikes kosovare që “ta lirojnë popullin nga burgu”.
Sylejman Selimi, i cili po vuan dënimin për krime lufte, ka bërë sot një deklaratë për Gazetën Express, ku i bën thirrje deputetëve që ta votojnë Demarkacionin me Malin e Zi.
Ai aktualisht ndodhet në burgun e Dubravës dhe porosia e tij për politikanët kosovarë është jashtëzakonisht emocionale.
“Votojeni demarkacionin”, ka thënë ai, ekskluzivisht për Gazetën Express.
“Lirojeni popullin nga burgu”, ka shtuar ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Selimi ka thënë se Mali i Zi i ka hapur rrugë Kosovës që ta përmbyllë këtë proces që po e lë Kosovën të izoluar nga bota. “Le të ulen me Malin e Zi, le t’i sqarojnë dilemat që kanë mbetur”.
Selimi shtoi se ideali i luftëtarëve të UÇK-së ka qenë liria e popullit. “Liria e popullit të Kosovës ka qenë ideali ynë”, ka thënë ai.
“Deputetët nuk duhet të na bëjnë horë. Secili ushtar i UÇK-së që sot është në Kuvend duhet ta dijë për çka kemi luftuar. Nuk e kemi bërë këtë për t’u izoluar nga bota”, ka deklaruar Selimi për Gazetën Express.
“Ndoshta mua nuk me bie të flasë për këtë, sepse gjendem në burg, por ju e latë krejt popullin në burg”, përfundon Selimi.