Lajmi.net ka siguruar ftesën që presidenti francez, Macron, i ka bërë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi të marrë pjesë në këtë ngjarje.
Më 11 nëntor, presidenti francez, Emmanuel Macron, është nikoqir i shumë liderëve botërorë, që do të marrin pjesë në manifestimin e përvjetorit të 100-të të armëpushimit, i nënshkruar në mes të Forcave Aleate dhe Gjermanisë për përfundimin e Luftës së Parë Botërore në Frontin Perëndimor.
Pjesë e kësaj ngjarje pritet të jenë liderët më të fuqishëm të botës, si presidenti i SHBA-së, Donald Trump, presidenti rus, Vladimir Putin, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe shumë krerë shtetërorë nga mbarë bota.
Lajmi.net ka siguruar ftesën që presidenti francez, Macron, i ka bërë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi të marrë pjesë në këtë ngjarje.
Aty thuhet se në njëqind vjet pas kësaj ngjarje, është detyrë e të gjithëve që në mënyrë solemne ta përkujtojmë armëpushimin dhe t’i nderojmë miliona viktima të atij konflikti global.
Mes tjerash thuhet:
“Do t’ju isha shumë mirënjohës nëse do ta shprehni përgjigjen tuaj nëpërmes ambasadorit francez të akredituar në vendin tuaj. Shpresoj se do të keni mundësi ta nderoni këtë ceremoni dhe hapjen e Forumit Parisien të Paqes me prezencën tuaj”, thuhet në ftesën që presidenti francez ia ka dërguar Presidentit të Kosovës. /Lajmi.net/