Në emisionin Rubikon, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur pyetjeve në lidhje me deklaratat e Thaçit për të.
Para disa ditëve, Thaçi kishte reaguar ndaj qëndrimit të Haradinajt për idenë për ‘korrigjimin’ e kufijve, shkruan gazetametro.net
Presidenti kishte thënë se Haradinaj duhet të tregohet më i mençur, madje duke lënë të nënkuptohet se nëse nuk korrigjohet mund ta largohet nga posti që mban.
Sot në Rubikon, Haradinaj përsëriti qëndrimin e tij se është kundër idesë së Thaçit për ‘korrigjimin’ të kufijve, duke thënë se një lëvizje e tillë çon në destabilizim dhe telashe të reja dhe se kjo nuk do të zgjidhte asgjë.
”Nëse dikush mendon që munet me m’diciplinu me ni karrikë, le ta din që gabim e ka”, ka thënë kryeministri.
Ai ka thënë se qëndrimin e tij e ka thënë para presidentit dhe PDK’së, dhe ka shtuar se ideja për ‘korrigjim’ të kufijve ka vdekur.
Megjithatë, Haradinaj gjithashtu tha se ideja e shtyer përpara nga Thaçi mund të jetë vetëm retorikë si kundërpërgjigje ndaj pretendimeve territoriale të Serbisë si pjesë e një ‘kompromisi’ në kuadër të një marrëveshje përfundimtare.