Presidenti Thaçi: S’kanë si t’i refuzojnë dekoratat, kur nuk i kam dekoruar.
Pas disa refuzimeve të dekoratave dhe medaljeve presidenciale me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dalë me një deklaratë duke thënë se deri tash nuk ka dekoruar asnjë individ apo organizatë.
Thaçi ka thënë se në tavolinën e tij të punës ka 500 emra të personaliteteve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, të propozuar, por edhe të vetëpropozuar për marrjen e Medaljes Presidenciale të 10 Vjetorit të Pavarësisë.
Postimi i plotë;
Deri më tani kam shqyrtuar jo më shumë se 20 propozime, 13 prej të cilave tanimë janë refuzuar dhe 7 janë aprovuar. Të tjerat do t’i shqyrtoj në ditët dhe javët në vijim.
Disa deklarata të individëve janë të pasakta. Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar.
E kuptoj frustrimin e disave, por sipas kritereve të mia, nuk mund të jesh i dekoruar edhe nga shteti i Serbisë për kontributin e dhënë për Jugosllavinë dhe ai i Kosovës njëkohësisht.
Do t’i zbatoj me përpikëri kriteret kushtetuese, ligjore dhe kombëtare, dhe sa për sqarim, propozimet nuk janë dekorim.
Të refuzuarit nuk do të marrin përgjigje publike, sepse nuk dua t’i lëndoj. Të dekoruarit do të njoftohen zyrtarisht. HTH
// Gazeta Projekti //