970×90
970×90
970×90
970×90

Limaj: Vendi nuk do të mbetet i bllokuar, do të gjejmë zgjidhje qoftë edhe përmes zgjedhjeve

Limaj: Vendi nuk do të mbetet i bllokuar, do të gjejmë zgjidhje qoftë edhe përmes zgjedhjeve

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se Kosova duhet të trajtohet si shtet i barabartë nga BE-ja dhe jo si deri më tash në krahasim me vendet tjera të rajonit, ndërsa hodhi poshtë mundësinë e negocimit për ndarjen e Kosovës.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me struktura drejtuese të Nismës Socialdemokrate në Vushtrri, Mitrovicë dhe Leposaviq.

Limaj ka thënë se objektivet e Qeverisë së Kosovës për këtë vit janë liberalizmi i vizave, anëtarësimi në Interpol dhe formimi i Ushtrisë së Kosovës.

Ai tha se shpreson se sa i përket anëtarësimit në Interpol pritet të ketë lajme të mira në muajin nëntor, derisa sipas tij formimi i ushtrisë është punën e kryer.

“Kjo çështja e Interpolit dhe liberalizimit të vizave, ne jemi seriozë aq sa jemi sa mos me u lëshuar në aventurë e me fol për diçka që nuk është në dorën tonë. Nuk jemi ne ata që vendosim datën, është dikush tjetër dhe nuk mund të bëjmë hajgare me njerëzit me thënë se do të bëhet këtë ditë apo atë ditë… Presim sa më shpejt liberalizimin e vizave… Unë besoj se kjo çështje do të përmbyllet shpejt… Te Interpoli është angazhim i mjaftueshëm dhe shpresoj që në nëntor të kemi lajm pozitiv, por ka ende shumë punë. Te çështja e ushtrisë është çështje e mbyllur. Nesër në parlament do të jenë në lexim të parë ligjet që FSK-në e shndërrojnë në Ushtri të Kosovës”, tha ai.

Limaj tha se Kosova duhet të trajtohet si shtet i barabartë nga BE-ja dhe jo si deri më tash në krahasim me vendet tjera të rajonit, ndërsa hodhi poshtë mundësinë e negocimit për ndarjen e Kosovës.

“Ne shkojmë në dialog, ne besojmë se duhet të gjendet rruga të mbyllen çështjet e hapura mes vendeve fqinje… por asnjëherë dhe në asnjë rast nuk marrim pjesë në tavolinën e bisedimeve të cilat janë në dëm të shtetit tonë… Atje shkojmë me shumë kërkesa që ka Kosova. Deri më tash është shkuar me duar në xhepa, ose me letër të bardhë. Ne po përgatitemi që atje të shkojmë me disa tema, për Brukselin veç për Serbinë veç… Dhe aty ku qitet në tavolinë tema që mund të qitet tema e ndarjes së Kosovës, kurrë ne nuk do të jemi pjesëmarrës dhe kurrë ajo nuk do të ndodhë”, tha ai.

Kreu i Nisma tha se nëse subjektet politike iu ikin përgjegjësive për shtetin, një gjë të tillë nuk do ta bëjë edhe subjekti që ai drejton, qoftë edhe përmes zgjedhjeve.

“Nëse këto grupe nuk i hapin rrugëdalje vendit, Nisma do të dalë me një rrugëzgjidhje, por vendi nuk do të mbetet i bllokuar. Zgjidhje duhet dhënë vendit, qoftë edhe përmes zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, pati një porosi se si do të bëhet mirë për të gjithë qytetarët në Kosovë.

“Drejtësia sociale, solidariteti janë krijuar edhe në vendet më të zhvilluara të kontinentit tonë për të forcuar shtetet e së drejtës. Neve na duhet shumë shteti i së drejtës. Nuk jemi të kënaqur me nivelin e të drejtës së shtetit, por kjo nuk do të thotë të mos e duam shtetin tonë, por ne duhet ta duam një shtet të drejtësisë sociale, ku sundon rendi dhe ligji, ku arsimin e ka të zhvilluar, ku secili qytetar e ndien veten mirë. Neve na vjen keq që ende nuk e kemi arritur këtë shtet që secili qytetar ta ndiej veten mirë dhe ta sheh perspektivën e vet në vendin e vet… Do të bëhet mirë për të gjithë kur angazhimi bëhet për ta ndryshuar gjendjen ekonomike, sociale dhe ekonomike”, tha Krasniqi.

Sekretari i përgjithshëm i Nisma, Bilall Sherifi, kërkoi angazhim më të madh të anëtarësisë për fuqizimin e kësaj partie, duke thënë se pa rritje organizative brenda partisë nuk mund të ketë shpërthim në numrin e votave.

“Nisma është një nga partitë e cila ka një rritje dhe stabilitet, dhe ka ofertë më të mirë se të tjerët… Të detajizojmë idetë dhe projektet tona të përbashkëta për të ardhmen, një retrospektivë si kemi ardhur deri këtu, si e kemi gjendjen tash dhe kah do të shkojmë për të vijuar rritjen e Nismës”, tha Sherifi.

Ndërsa, kryetari i Degës së Nisma në Vushtrri, Abdullah Vojvoda, ka folur rreth të funksionimit të kësaj dege në Vushtrri, duke thënë se programi i Nismës ka ndryshuar kostelacionin e forcave politike në zgjedhjet e fundit komunale.

“Nuk mund pa e përmendur edhe ndihmën e madhe për qytetin e Vushtrrisë në kontekstin e zhvillimit ekonomik të saj dhe përmbushjes së programit politik të prezantuar në zgjedhje nga Nisma, e që është projekti ekonomik që do të jetësohet së shpejti, projekt ky që do t’i sjellë Vushtrrisë një mijë vende të reja pune”, tha ai. /KP/

Related posts