
Ka nisur zyrtarisht festivali i njohur i muzikës “Kënga Magjike 2018”.
Faza e parë e këtij festivali prezantohet në spektaklin javor “E diela shqiptare”, ku në çdo javë prezantohen këngë të reja pjesëmarrëse.
Edhe këtë vit është konfirmuar se nuk do të mungojnë emra të njohur si: Yll Limani, Mentor Haziri, Jonida Maliqi, Ronela Hajati, Endri dhe Stefi, Aurela Gaçe, Eli Fara etj.
Faza “Best New Artist” është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e festivalit, e cila seleksionon këngët e artistëve të rinj, se kush duhet të paraqitet në netët finale e kush jo.
Festivali “Kënga Magjike” nisi zyrtarisht edicionin e ri të 2018-s
Pjesë e kësaj jurie këtë vit janë emra të njohur si: Orinda Huta, Manjola Nallbani, Orgesa Zaimi, Arben Skënderi dhe Armend Regjepagiqi.
Ky i fundit, rikthehet në ekran pas një mungese të gjatë, kjo pasi prej vitesh është tërhequr nga muzika, ndërsa u ka munguar në masë të madhe art-dashësve të tij.
Hera e fundit që Regjepagiqi u paraqit në një spektakël ishte “Albanians Got Talent” në vitin 2010, si pjesëtar i jurisë.
Juria e “Kënga Magjike 2018” (Foto: Anna Media)
Ai rikthehet sërish në të njëjtin rol si gjyqtar, pasi si këngëtar ende nuk ka vendosur të rikthehet me ndonjë projekt të ri muzikor.
Në fotografitë që u publikuan në rrjetet sociale, fansat patën mundësinë të shohin Armendin pas kaq vitesh, i cili nuk ka ndryshuar shumë nga ai Armendi i dikurshëm me flokë të gjata dhe me stil unik. /Telegrafi/
Kështu duket Armend Regjepagiqi në rikthimin e tij pas kaq vitesh (Foto: TV Klan)