Për nder të festimeve për ditën e pavarësisë flamuri i shtetit të Kosovës ishte vendosur te rrethrrotullimi në Prishtinë, por kjo rezulton të jetë thjesht “maskim” për miqtë ndërkombëtar, pasi që pas përfundimit të festës i njëjti po hiqet për t’u vendosur përsëri ai kombëtar, shkruan Gazeta Express.
Express mëson nga burime brenda Qeverisë se e gjithë kjo ishte bërë për të ju treguar miqve ndërkombëtar që vizituan Kosovën për nder të 10-vjetorit të pavarësisë se Kosova ka shtet dhe idenfitikohet me flamurin e saj.
Por, pas përfundimit të ditëve të festës, në hyrje të Prishtinës, përkatësisht në vendin e njohur si te rrethi do të vendoset përsëri flamuri kombëtar shqiptar.
Nga Qeveria thonë se kryeministri kishte marrë vendim për të respektuar 10-vjetorin, duke deklaruar se vendosja e flamurit është kompetencë e komunës dhe ata marrin vendime të tilla.
Express mëson se kryeministri ka autorizuar tashmë ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, që të bëjë ndërrimin e flamurit shtetëror me atë kombëtar dhe kjo pritet të ndodhë gjatë ditës së sotme.
Në vazhdimësi ishte kundërshtuar vendosja e flamurit shtetëror nga persona të caktuar, disa madje kishin paralajmëruar protesta duke thënë se flamuri mbrohet edhe me gjak nëse ka nevojë.
Flamuri i Kosovës ishte vendosur te rrethi me 13 shkurt, në orët e mbrëmjes pas ndërhyrjeve të zjarrfikësve, KEDS’it dhe policisë, pasi që fillimisht dikush kishte vjedhur flamurin të cilin autoritetet ishin detyruar ta zëvendësojnë me një tjetër alternativ./Express/