970×90
970×90
970×90
970×90

Po kthehet BABA

Njeriu që shpiku populizmin bunga-bunga po rikthehet si një i moderuar, shkruan Foreign Policy

Revista amerikane Foreign Policy i ka kushtuar një artikull të gjatë atij që duket se do të jetë rikthimi i radhës i Silvio Berlusconit në politikën italiane.

“Karriera politike e Silvio Berlusconit është shenjuar gjithmonë nga surrealja”, shkruan John Foot. “Por kurrë kjo gjë nuk ka qenë më e vërtetë se sa sot”.

81-vjeçari që pak a shumë shpiku populizmin modern në PErëndim, tashmë po shfaqet si një i moderuar.

Berlusconi nuk është transformuar vetëm në një antipopulist, por është bërë edhe një proEuropian me zë të fortë; jo vetëm një liberal i vetëdijshëm, por edhe një njeri që i do fort kafshët dhe që përqafon qingjat. Dhe mbi të gjitha, Silvio nuk ka marrë fund: ai tani shihet si favorit për të fituar në zgjedhjet e ardhshme në Itali.

“E gjithë kjo mund të tingëllojë absurde për cilindo që ka studiuar karrierën politike dhe atë të biznesit të këtij njeriu në 25 vitet e fundit. A nuk është ai që praktikisht shkroi librin e rregullave të anti-establishmentit, atë libër që tani po e ndjek presidenti i SHBA, Donald Trump? Silvio Berlusconi krijoi një parti nga hiçi në vitin 1994, dhe ai bazoi një seri fushatash zgjedhore, mbi një mesazh që sfidonte normat, postpolitik, antiparti. E gjitha e lidhur me suksesin e tij personal si biznesmen dhe sipërmarrës në futboll, si dhe gjenialitetin e tij si personalitet televiziv. Ai predikonte një dietë taksash të ulëta dhe më pak ndërhyrje të shtetit, por edhe karizmë personale dhe pushtet”.

Sipas Foreign Policy, transformimi i Berlusconit është ndoshta pjesërisht një shenjë pjekurie politike në moshë të vonë. Por është edhe shprehja më e fundit e mprehtësisë së tij strategjike. Dikur ai përfitoi duke qortuar establishmentin e BE, ndërsa tani është avantazh që të shihet si njeri që përkëdhel eurokratët në Bruksel. Berlusconi po paraqitet si një forcë moderuese, sepse ka pranuar që vetë politika italiane ka ndryshuar.

Në vitet 1990, Berlusconi dhe Lega Nord ishin “të vetmit populistë në qytet”. Tani, populistë ka plot, sidomos Pesë Yjet e Bepe Grillos. Dhe çfarë po bën Berlusconi? Po vetëofrohet si një ledh mbrojtës përballë tyre. Edhe gazetari veteran Eugenio Scalfari – ai vetë një kundërshtar i fortë i Berlusconit – ka deklaruar se do të preferonte Kavalierin, më mirë se sa Pesë Yjet.

Por Berlusconi mund të ofrohet edhe si një forcë moderuese brenda vetë koalicionit të djathtë. Kjo për shkak të jetëgjatësisë së tij në politikë, por edhe sepse, për shumëkënd, ai shihet si më i moderuar se partnerët e tjerë të koalicionit.

“Fakti që Berlusconi po përfiton tani në krahasim me rritjen e neofashistëve është ironik, duke qenë se ishte i pari udhëheqës i pasluftës që i rehabilitoi në vitet 1990. Por ish kryeministri duket se ka përllogaritur saktësisht se publiku italian do të harronte (ose të paktën falte) pozicionet e tij të mëparshme – që nga tensionet me udhëheqësit evropianë, tek flirtimet me ksenofobinë – nëse do i ofrohej një vëllim i mjaftueshëm imazhesh të reja në televizorët e tyre, që sugjerojnë një përkushtim ndaj qëndrimeve të kundërta. Si zakonisht, ai ka refuzuar masa gjysmake: Nëse do të kandidojë si paragon i virtytit dhe përgjegjshmërisë, përse të mos përqafojë kafshë përpara kamerave televizive?”, përfundon artikulli i Foreign Policy

Related posts