970×90
970×90
970×90
970×90

Bëhet thirrje për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes së nxënësve në rrugë

Bëhet thirrje për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes së nxënësve në rrugë

Gjatë periudhës janar – korrik të këtij viti në Kosovë kanë ndodhur gjithsejtë 3 434 aksidente me lëndime, duke mbetur të lënduar 6 833 persona.

Ndërsa më shumë se 5 000 aksidente trafiku përfunduan vetëm me dëme materiale.

Nga kjo shifër e lartë e numrit të aksidenteve dhe të lënduarve në trafik, gjatë kësaj periudhe kanë vdekur 67 qytetarë si pasojë e aksidenteve në rrugë, raporton “Epoka e re”.

Duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë në trafik, aksidentet e kësaj vere, por edhe fillimin e vitit shkollor ku trafiku bëhet më i dendur dhe rrjedhimisht edhe më i pasigurt për fëmijët, sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, së bashku me Kolegjin e Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, Forumin e Kosovës për Siguri në Rrugë dhe Asociacionin Kosovar të Motorizimit AMRKS, u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrëseve në trafik për shtimin e kujdesit gjatë lëvizjes në rrugë.

“Kjo thirrje për rritjen e sigurisë në rrugë u drejtohet të gjithë ngasësve të mjeteve motorike që të jenë vigjilentë dhe të veprojnë duke respektuar në plotësi rregullat dhe shenjat e trafikut. Në mjedise shkollash, të shtohet kujdesi në mënyrë që të rritet siguria për fëmijët gjatë rrugës nga shtëpia në shkollë dhe anasjellas. Nga fëmijët kërkohet kujdes dhe vëmendje e shtuar gjatë kalimit të rrugës dhe lëvizjes së tyre në grupe”, është thënë në njoftimin për medie të këtyre institucioneve.

Meqenëse ende mungon edukimi i mirëfilltë i fëmijëve për sjellje të duhur në trafik, ekspertët e këtyre institucioneve në bazë të hulumtimeve të deritashme të zhvilluara me nxënës në shkollat e vendit lidhur me sigurinë e lëvizjes të fëmijëve në rrugë, kanë dhënë disa udhëzime dhe rekomandime me masa konkrete për prindërit dhe fëmijët në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

“Udhëzohen prindërit që gjithmonë t’i shoqërojnë fëmijët nën moshën 10-vjeçare nga shtëpia deri në shkollë dhe anasjellas, prindërit dhe mësuesit duhet të sigurohen se fëmijët e tyre i njohin rregullat e lëvizjes të sigurt në rrugë dhe të sigurohen se ata i njohin shenjat e trafikut që u përkasin atyre, shoqërimi i fëmijëve nga shtëpia deri në shkollë dhe anasjellas duhet të bëhet përderisa prindërit të sigurohen se fëmijët e njohin mjaftueshëm rrugën dhe i praktikojnë në tërësi udhëzimet duke lëvizur të sigurt. Gjithashtu, prindërit dhe mësuesit duhet t’i udhëzojnë fëmijët ta përdorin të njëjtën rrugë çdo ditë dhe t’i shmangin shkurtesat dhe kryqëzimet e panevojshme, parkingjet etj. Udhëzohen prindërit të marrin nga mësuesit ose kujdestarët orarin e saktë të fillimit dhe mbarimit të mësimit dhe për çdo ditë ta monitorojnë kohën dhe sigurinë e lëvizjes së fëmijëve”, është thënë në njoftimin për media.

/Epoka e re/

Related posts