Drejtori i Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Sabit Syla, gjatë ditës së djeshme ka hapur rast në polici pasi, siç thotë ai, është kanosur dhe shantazhuar nga njëri prej kandidatëve për drejtor të këtij Instituti, Frashër Demaj.
Drejtori i ri i këtij instituti pritet të zgjidhet gjatë muajit maj. Deri më tani janë katër kandidatë, drejtori aktual Sabit Syla, kandidati tjetër Frashër Demaj dhe dy të tjerë.
I kontaktuar nga Gazeta Express, drejtori Sabit Syla thotë se të enjten Demaj ndër të tjerë i ka bërë një premtim siç e quan skandaloz.
“Premtim skandaloz, tërhiqu nga gara se do të bëjë anëtar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, thotë Syla t’i ketë thënë Demaj.
Ai pohon se Demaj i ka thënë se nëse nuk tërhiqet nga posti i drejtorit do ta kallë institutin.
“Në rast se unë nuk tërhiqem më tha se do ta kalli intitucionin fakti se kam mbështetje”, thotë Syla për Express.
Express ka kontaktuar edhe me Frashër Demaj, i njëjti ka mohuar të ketë ndodhur ngjarja sipas versionit të Sylës. Ai thotë se këto akuza janë të pavërteta dhe i quan postë e porositur. Thotë se nuk i ka premtuar se do ta bëjë anëtar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Jo këto janë të pavërteta as puna e zgjedhjes së drejtorit nuk varet as prej meje as prej Sabitit. Kjo është tendencë, postë e porositur prej qarqeve të nëntokës. Thjesht po e keqpërdorin si servil ”, thotë Demaj.
“As nuk ka pas kërcënime as fjalosje me ton ofendues ndaj njerëzve që kanë qenë aty. Na kemi dalë prej mbledhjes ata kanë vazhdu mbledhjen pa kuorum”, thotë ai.
Demaj tha se pasi kanë lëshuar mbledhjen kanë dërguar edhe një njoftim në adresë të Ministrisë së Arsimit. Pasi sipas tij në rend të ditës janë future disa çështje që kanë qenë joligjore.
“Unë as si kam kanos as se kam kërcënu asnjë njeri të gjallë ne vec e kemi lëshu mbledhjen edhe kemi bërë një njoftim te Ministria e Arsimit shkencës dhe teknologjisë me kaq ka përfunduarr”, thotë Demaj.
Sabit Syla thotë se Demaj më 2013 është suspenduar për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa tani sipas tij ai në çdo formë po tenton të vijë në krye të këtij institucioni.
Demaj tha se lidhur me rastin ka dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës.
Zgjedhjet për drejtorin e ri të Institutit të Historisë do të mbahen në maj, ndërsa përgatitjet për këtë proces kanë filluar