Ndërtimi i hidrocentraleve në vazhdimësi është kundërshtuar nga banorët që jetojnë fshatrave përreth lumenjve, sidomos ata që merren me bujqësi.
Mirëpo, kundërshtimet e banorëve asnjëherë nuk janë marrë parasysh.
Tash së fundmi hidrocentrale po parashihen të ndërtohen edhe në lumin “Erenik”, në komunën e Junikut, raporton KTV.
Edhe banorët e këtushëm po e kundërshtojnë këtë, duke thënë që futja e ujit në gypa është e papranueshme, pasi, sipas tyre, të mbjellat i ujisin nga ky lumë.
Në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre, banorët paralajmërojnë edhe protesta.
Edhe shoqëria civile po kundërshton ndërtimin e hidrocentraleve në këtë pjesë, pasi thotë se kompanitë po shikojnë vetëm interesin e tyre.
Ndryshe, në Komunën e Junikut thonë se ende nuk kanë asgjë zyrtare në lidhje me këtë.
Megjithatë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se është pezulluar përkohësisht kontrata për ndërtimin e hidrocentraleve në këtë pjesë, pa sqaruar arsyet.
Ndërsa, Inspektorati i kësaj ministrie ka pezulluar edhe punën e hidrocentraleve në grykën e Deçanit pas ankesës së kryetarit të kësaj komune, sa i përket minimumit biologjik.
Po ashtu, ky dikaster ka përgatitur procedurë gjyqësore ndaj operatorit.