Ishin mediat serbe që para takimit midis Donald Trump dhe Vladimir Putin në Helsiniki, raportuan se temë diskutimi do të ishte edhe për dialogun, e më saktësisht për ndarjen e Kosovës.
Por një gjë të tillë pas gati 1 muaji nga takimi i dy liderëve më të fuqishëm në botë, e ka mohuar udhëheqësja e zyrës për informim në Ministrinë e Jashtme ruse, Maria Zaharova.
Kjo e fundit ka thënë për RTS se dy presidentët nuk kanë diskutuar për ndarjen e mundshme të Kosovës, apo shkëmbimin e territoreve, transmeton lajmi.net.
“Ai ishte lajm i rremë.Cili është qëndrimi ynë tashmë dihet. Politika e jashtme ruse është krah asaj të Serbisë”, tha Zaharova.
Zyrtarja e qeverisë ruse foli edhe për mundësinë e korrigjimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.
Zaharova tha se çdo zgjidhje që e pranon Serbia, do të pranohej me respekt edhe nga Moska zyrtare.
Por sipas saj pyetja që duhet bërë është se a do të ishte e dobishme kjo zgjidhje për serbët.
“Çfarë do që është e pranueshme për poullin e Serbisë në lidhje me këtë temë, do ta pranojmë me respekt”, tha zëdhënësja e diplomacisë ruse.
“Ka dhjetë vjet nga koha kur Kosova u nda nga Serbia, dhe më shumë se 100 vende e kanë njohur këtë vend. Mendoj se këto shtete e kanë ndihmuar financiarisht dhe politikisht Kosovën”, deklaroi ajo.
Maria Zaharova përmend tri komponenta që sipas saj Rusia i ka parasysh në raportet e Serbisë me Kosovën.
“Qëndrimi ynë bazohet në bazën ligjore ndërkombëtare për atë se çfarë ndodh në Kosovë, sovraniteti dhe pavarësisa e Serbisë, dhe kuptimi i interesave të serbëve”, përfundoi ajo.
Ndryshe presidenti serb, Vuçiq në një të ardhme të afërt do të takohet përsëri me homologun e tij rus, Putin që të diskutojë në lidhje me Kosovën. /Lajmi.net/