970×90
970×90
970×90
970×90

Protestohet në Prishtinë, kërkohet shkarkimi i kryepolicit në Gjakovë pas vrasjes së dyfishtë

Protestohet në Prishtinë, kërkohet shkarkimi i kryepolicit në Gjakovë pas vrasjes së dyfishtë

Me pankartat “Boll Ma Drejtësi Selektive”, “Boll Ma Dhunë Institucionale”,” Me t’Mytë a ta hjekë copë”, është protestuar kundër dhunës dhe vrasjeve në Kosovë.

Dhjetëra persona, të cilët iu bashkuan protestës, marshuan prej sheshit ‘ Zahir Pajaziti”drejtë sheshit “Edit Durham”, për t’u ndalur para stacionit të Policisë, ku edhe kërkuan shkarkimin e komandantit të Policisisë së Gjakovës dhe policisë në detyrë, në kohën kur i dyshuari ka vrarë gruan dhe vajzën e tij, raporton Ekonomia Online.

Luljeta Aliu, organizatore e protestës, tha se institucionet duhet të japin përgjegjësi për rastin.

“Institucionet tona nuk i kryejnë punët tona qysh duhet dhe askush nuk jep llogari. Çfarë shteti është ky që e lejon një nënë me vdesë…nuk është problemi vetëm tek rruga ndaj grave, problemi është nuk e mbron qytetarin e vet, nuk kërkon përgjegjësi prej institucioneve, sepse i kanë instalu ata njerëz për me i mbrojt pushtetarët e jo qytetarët”.

“Faji është i joni se na po lejojmë qe temat e mëdha për shkëmbim territoresh me na i mshel sytë, me na i mshel veshtë.Krejt duhet me dalë, me kërku shkarkimin e komandantit të policisë së Gjakovës kërkojmë llogaridhënie prej ministrisë”, tha Aliu.
Ndërsa, Besnik Leka, koordinator i projektit për parandalimin e dhunës në bazë gjinore në Care International, tha se krimi nuk mund të amnistohet.

“Dhuna sistematike duhet të përfundojë.. sot thërrasim me mllef, trishtim që kriminelë të marrin dënimin e merituar. Krimi nuk duhet të amnistohet, theksoi Leka, raporton Ekonomia Online.

Gazetarja Edona Zogu ka shkruar se dhuna ndaj grave duhet t’i bashkonte të gjithë.

“Protesta kundër dhunës/vrasjes ndaj grave dhe fëmijëve do duhej t’na bashkonte të gjithëve n’shesh, pavarësisht se kush e organizon, pavarësisht a je viktimë e dhunës ti, apo dikush tjetër. Të gjithë n’shesh! Fatkeqësisht pjesë e protestës ishte një numër fort i vogël i qytetarëve, e kjo tregron goxha shumë për mendësinë tonë sociale dhe pozicionimin e gruas në shoqëri. E përvec tjerash, kuota gjinore ishte përafërsisht 70 % femra, 30% meshkuj. Dhuna s’ka gjini shokë e shoqe!”, ka shkruar Edona Zogu.

Protestuesit në fund përshkuan sheshin “Nënë Tereza” për t`u ndalur para objektit të qeverisë, në rrethojat e së cilës vendosen pankartat në të cilat bëhej thirrje kundër drejtësisë institucionale dhe selektive.

Related posts