Kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është përgjigjur sot ashpër ish-presidentit e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Ka thënë se Kosova ka përkrahjen e plotë nga SHBA e BE për arritjen e marrëveshjes së paqes me Serbinë. Ndërsa ka shtuar se nuk i duhen këshillat nga ata “që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq”.
Ndonëse nuk ka përmendur emrin e Berishës, aludimi duket të jetë i qartë, meqë Berisha në periudhën e përfolur nga Thaçi ka qenë në krye të shtetit shqiptar, derisa vazhdimisht i përmendet dyshimi se në kohë të embargos për Jugosllavinë, Shqipëria i ka shitur naftë Serbisë. Po ashtu pa përmendur emra, ka thënë se ai është dëbuar me votë nga qytetarët.
Por cila është e vërteta e tregimit të Berishës me Millosheviqin në vitet 1992-1997?
Në vitin 1992, Sali Berisha aso kohe president i Shqipërisë post komuniste, kishte nënshkruar një marrëveshje me vartësin e Sllobodan Millosheviqit, Momir Bullatoviq i cili mbante pozitën e presidentit të Malit të Zi, shkruan lajmi.net.
Kjo marrëveshje ‘sekrete’ kishte të bënte me furnizimin me naftë të ish Jugosllavisë që drejtohet nga Millosheviqit nëpër vijën ujore kufitare Shqipëri-Mali i Zi.
Kjo njëherit ishte edhe thyerje e embargos ndërkombëtare ndaj ish Jugosllavisë për shkak të luftërave në Kroaci dhe në Bosnje.
Nafta të cilën Berisha ia shiti Millosheviqit bëri që forcat ushtarake serbo-jugosllave të vazhdonin luftën në Bosnje dhe Hercegovinë.
Marrëveshja në fjalë asnjë herë nuk është zbardhur e plotë, por është pranuar tërthorazi nga vetë Berisha në disa raste. /Lajmi.net/