Kryeministri Ramush Haradinaj mblodhi sot me urgjencë Këshillin e Sigurisë.
Ai tregoi se është në dijeni se kanë hyrë disa njerëz në veri nga Republika Serbe e Bosnjës, ndërkaq u tërhoqi vërejtjen se shteti i Kosovës do të reagojë nëse serbët shpallin autonominë.
Kjo deklaratë e Haradinajt pason paralajmërimet e serbëve të veriut se më 5 gusht, ditën e diel, do ta shpallin njëanshëm fillimin e punës së Asociacionit të komunave më shumicë serbe që do të jetë një lloj autonomie e pashpallur zyrtarisht.
Lidhur me këtë paralajmërim tashmë forcat e sigurisë janë vënë në gatishmëri dhe siç e tha edhe kryeministri Haradinaj, ato janë të gatshme të ndërhyjnë nëse serbët tentojnë shpalljen e të ashtuquajturës autonomi.
Për të qenë sa më në gatishmëri, Policia e Kosovës ua ka ndërprerë pushimet vjetore të gjithë policëve dhe ata tashmë janë rikthyer në punë, shkruan lajmi.net.
Mbledhje të Këshillit të Sigurisë ka thirrur për nesër edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pikërisht për këtë çështje. Paraprakisht ai sot u ka dërguar letër të hapur serbëve të Kosovës në të cilën kërkon që mos të ndërmerren veprime të njëanshme të cilat, sipas tij, do t’ju shkonin në dëm të tyre dhe në të mirë të Kosovës.
Ai po ashtu ka thënë se Serbia nuk do të lejoj një “oluja” (stuhi) tjetër për serbët ashtu siç kishte ndodhur në Kroaci në vitin 1995.
I pari që e kishte dhënë lajmin për 5 gushtin kishte qenë kryemurgu i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.
“Këto nuk janë thashetheme çnjerëzore, por informata që i kemi marrë”, kishte thënë ai për mediat serbe.
Duke u deklaruar tutje, u kuptua se ai po pretendonte se serbët dhe kosovarët po përgatisnin një skenar të errët, për të çuar në trazira situatën mes dy etnive në veri të Kosovës.
“Flitet haptas për shpalljen më 5 gusht, në kundërshtim me dialogun, të njëfarë autonomie të veriut, pas kalimit të afatit për Asociacionin (AKS-së), që do të duhej të provokonte ndërhyrjen e Policisë së Kosovës dhe të forcave ROSU, sipas skenarit të ngjashëm si në rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit”, ka thënë murgu i manastirit të Deçanit, në një intervistë për “Danas” në Beograd.
“Përralla fashiste” i emërtoi presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, deklarimet e priftit serb.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës tha sot se çdo provokim që ndodh në veri nuk ndodh pa miratimin e Beogradit”.
Madje, Thaçi edhe dha një paralajmërim: “Potencoj që institucionet e Kosovës do ta respektojnë në tërësi Kushtetutën e Kosovës”, tha kreu kosovar. /Lajmi.net/