Për takimin ka njoftuar edhe Veseli në rrjetet sociale. Ai ka shkruar kundër djegies së simboleve turke nga disa persona që në një incizim u prezantuan si mbështetës të Gjergj Dedajt.
“Me deputetët e Grupit Parlamentar 6 +, në një takim që pata sot, ndamë shqetësimin e përbashkët për aktin e dënueshëm ndaj simboleve të Republikës së Turqisë. Shteti i Kosovës, populli i Kosovës, i respekton dhe i nderon miqtë e vet, kulturën, simbolet dhe identitetin e tyre. Kosova ka raporte shumë të mira me Turqinë dhe askush nuk mund t’i lëndojë ato, e as nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, ka shkruar Veseli.
Ndërsa, deputetë të Grupit parlamentar 6+, pas një takimi që e kanë mbajtur sot, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sot deri në orën 16:00 të shkarkohet zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj.
Fikrim Damka nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, ka thënë për Kallxo.com se janë takuar me kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin dhe me një këshilltar të presidentit Thaçi dhe aty e kanë bërë të ditur këtë qëndrim.
“Qëndrimet tona janë të qarta. Presim qe deri sot në orën 4 të shkarkohet Dedaj nga posti i zëvendësministrit të Jashtëm. Ne ende nuk e kemi marrë asnjë vendim zyrtar që e ka marrë kryeministri. Po presim vendimin. Ju kemi thënë që vendimin do ta presim deri në orën 4”, ka thënë deputeti.